Gérard Depardieu pranon dënimin për sulm seksual, u kërkon falje viktimave

Aktori i njohur francez Gérard Depardieu ka hequr dorë nga apelimi i vendimit të gjykatës, që e shpalli fajtor për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të një filmi në vitin 2021.
77-vjeçari ka pranuar dënimin me 18 muaj burg me kusht dhe u ka kërkuar falje grave të përfshira në çështje.
Vendimi i tij erdhi të hënën, më 16 nëntor, pikërisht në ditën kur pritej të niste procesi i apelimit në Paris. Përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij, Depardieu pranoi vendimin e drejtësisë dhe shprehu keqardhje për sjelljen e tij të mëparshme.
“Për një kohë të gjatë, në sheshxhirime jam fshehur pas provokimeve dhe humorit vulgar. Mendoja se fjalët dhe disa nga veprimet e mia nuk kishin pasoja. Por ato kishin”, u shpreh aktori.
Ai shtoi se nuk kishte pasur kurrë qëllim të lëndonte gratë me të cilat kishte ndërvepruar, por tashmë kishte kuptuar se qëllimi nuk e fshin dëmin e shkaktuar. Depardieu u kërkoi falje të sinqertë të gjitha grave që mund të jenë prekur nga sjellja e tij.
Aktori u shpall fajtor në maj të vitit 2025 për sulm seksual ndaj një dekoratoreje dhe një asistenteje regjisori gjatë xhirimeve të filmit Les Volets Verts në vitin 2021.
Përveç dënimit me 18 muaj burg me kusht, gjykata urdhëroi që emri i tij të përfshihej në regjistrin kombëtar të personave të dënuar për vepra seksuale.
Tërheqja e apelimit bën që vendimi i vitit 2025 të mbetet në fuqi dhe të mos zhvillohet një proces i dytë për këtë çështje.
Megjithatë, kjo nuk është çështja e vetme ligjore me të cilën përballet aktori. Ai vijon të jetë nën hetim në një dosje tjetër, ku aktorja Charlotte Arnould e ka akuzuar për përdhunim dhe sulm seksual në vitin 2018. Depardieu i ka mohuar këto akuza.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.