BM – Një orë xhepi, e gjetur në trupin e një viktime të “Titanic”, në ankand për 78 900 dollarë
LONDËR, 19 nëntor /ATSH-DPA/- Një orë e gjetur në trupin e një pasagjereje, që humbi jetën gjatë fundosjes së anijes nën emrin “Titanic”, pritet të shitet për deri në 60,000 paund (78,900 dollarë) në një ankand në Britaninë e Madhe.
Mary Mangan, 32 vjeçe, ishte pasagjere e klasës së tretë në anijen fatkeqe, e cila u fundos në prill të vitit 1912, duke shkaktuar rreth 1 500 viktima.
Mangan, me origjinë nga Irlanda, udhëtonte së bashku me një grup të madh pasagjerësh nga rajoni Mayo, në perëndim të Irlandës, të cilët sot njihen si “14-shja e Addergoole”.
Në grup bënin pjesë 14 emigrantë nga zona e Addergoole-s, në rajonin Mayo të Irlandës, të cilët udhëtuan së bashku me anijej “Titanic” drejt Amerikës në prill të vitit 1912. Sipas burimeve, 11 prej tyre humbën jetën, ndërsa tre gra mbijetuan.
Njëmbëdhjetë viktimat ishin, Catherine Bourke, John Bourke, Mary Bourke, Mary Canavan, Patrick Canavan, Bridget Donohue, Nora Fleming, James Flynn, Catherine McGowan, Delia Mahon dhe Mary Mangan. Ndërsa tre të mbijetuarat ishin Annie Kate Kelly, Delia McDermott dhe Annie McGowan.
Mangan ishte shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishte kthyer në Irlandë në fillim të vitit 1912 për të vizituar familjen. Ajo hipi në anijen “Titanic” në Queenstown, që sot njihet si Cobh, në jug të vendit.
“Mary Mangan u përmend nga Annie Kelly, një e mbijetuar nga Mayo, e cila tregoi se ishte shoqëruar nga Mangan dhe familja Bourke, ndërsa nxitonin drejt një shkalle që do t’i çonte në katin e dytë të anijes”, deklaroi organizatori i ankandit, Andrew Aldridge.
“Nuk dihet nëse Mary arriti të ngjitej në kuvertat e sipërme”, shtoi ai.
Ora e xhepit, prej metali të verdhë dhe e gdhendur me inicialet MM, është dëmtuar rëndë nga korrozioni, për shkak të qëndrimit për një kohë të gjatë në ujërat e Atlantikut të Veriut.
Trupi i Mangan u gjet nga anija kabllore “CS MacKay-Bennett” dhe më pas u varros në det më 22 prill 1912.
Ora u gjet në trupin e saj dhe iu kthye familjes së bashku me sendet e tjera personale.
Kohët e fundit, ajo u ekspozua për disa javë së bashku me pjesën tjetër të koleksionit të familjes Mangan në muzeun “Titanic Belfast”, një atraksion turistik në Belfast, Irlandën e Veriut.
Ora do të dalë në ankand më 21 nëntor 2026, në shtëpinë e ankandeve “Henry Aldridge & Son”, në Wiltshire.
“Kjo orë është e veçantë në shumë aspekte. Mekanizmi i saj duket sikur ka mbetur i ngrirë në kohë, për shkak të qëndrimit në ujërat e Atlantikut të Veriut, në orët e para të 15 prillit 1912. Por, edhe sepse ajo i përkiste një pasagjereje të klasës së tretë, një grup pasagjerësh që ndonjëherë lihet në harresë”, deklaroi Aldridge. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.