BRUKSEL – NATO rrit praninë në Detin e Zi pas sulmeve ndaj anijeve
BRUKSEL, 21 tetor /ATSH-DPA/- Vendet anëtare të NATO-s do të dërgojnë më shumë avionë për vëzhgim detar, sisteme radarësh, dronë dhe ekipe për hetimin e shpërthimeve në rajonin e Detit të Zi.
Masa vjen si një përgjigje ndaj shtimit të sulmeve ruse kundër rrugëve që përdor Ukraina për eksportet e saj, njoftoi sot zëdhënësi i shtabit ushtarak të NATO-s në Mons të Belgjikës, Martin L. O’Donnell.
Ai tha se në rajon do të dërgohen edhe më shumë specialistë të inteligjencës ushtarake.
Qëllimi është të përmirësohet monitorimi i situatës, përmes përdorimit më të gjerë të pajisjeve të vëzhgimit dhe shkëmbimit më të madh të informacionit mes vendeve anëtare.
Sipas raportimeve nga Sofja, një avion amerikan zbulimi i Marinës, i tipit “P-8 Poseidon”, ka nisur operacionet përgjatë bregdetit bullgar të Detit të Zi.
Rumania ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe NATO pas disa incidenteve të ndodhura javën e kaluar.
Sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi janë shtuar kohët e fundit.
Mes mjeteve të prekura kanë qenë edhe anije që transportonin mallra pranë brigjeve të Bullgarisë dhe Rumanisë, të dyja vende anëtare të NATO-s.
Javën e kaluar, anija ukrainase “Chelsea 3” u godit nga tre dronë, rreth 33 kilometra në lindje të qytetit bregdetar bullgar, Byala.
Në një incident të dytë, një anije u godit dhe u fundos rreth 31 kilometra larg bregdetit, pranë Krapetsit, afër kufirit me Rumaninë.
Në fillim të këtij muaji, një anije tregtare turke, e cila transportonte grurë, u fundos pranë qytetit rumun Sfantu Gheorghe, në bregdetin e Detit të Zi.
Dy anëtarë të ekuipazhit humbën jetën. Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, anija u godit nga dronë rusë.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Kaja Kallas, paralajmëroi së fundmi se situata mund të shkaktojë një krizë të re globale ushqimore.
Kallas e cilësoi Ukrainën si një nga eksportuesit më të rëndësishëm të produkteve bujqësore në botë dhe tha se veprimet e Rusisë, po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë furnizimin e njerëzve me ushqime në mbarë botën.
Ajo theksoi se gjashtë sulme, që dyshohet se janë kryer nga dronë rusë, brenda një periudhe prej 10 ditësh, përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm të situatës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.