☁️
Tiranë 23°C · Vranët 16 June 2026
S&P 500 7,554 ▲1.65%
DOW 51,671 ▲0.92%
NASDAQ 26,684 ▲3.07%
NAFTA 80.44 ▼0.38%
ARI 4,336 ▼0.36%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1597 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9211 EUR/ALL 95.0221 EUR/MKD 61.6327 EUR/RSD 117.4206 EUR/TRY 53.7042 EUR/JPY 185.77 EUR/CAD 1.6219 EUR/USD 1.1597 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9211 EUR/ALL 95.0221 EUR/MKD 61.6327 EUR/RSD 117.4206 EUR/TRY 53.7042 EUR/JPY 185.77 EUR/CAD 1.6219
₿ CRYPTO
BTC $66,146 ▲ +0.45% ETH $1,764 ▲ +2.52% XRP $1.2277 ▲ +3.69% SOL $73.8300 ▲ +3.8%
S&P 500 7,554 ▲1.65 % DOW 51,671 ▲0.92 % NASDAQ 26,684 ▲3.07 % NAFTA 80.44 ▼0.38 % ARI 4,336 ▼0.36 % S&P 500 7,554 ▲1.65 % DOW 51,671 ▲0.92 % NASDAQ 26,684 ▲3.07 % NAFTA 80.44 ▼0.38 % ARI 4,336 ▼0.36 %
EUR/USD 1.1597 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9211 EUR/ALL 95.0221 EUR/MKD 61.6327 EUR/RSD 117.4206 EUR/TRY 53.7042 EUR/JPY 185.77 EUR/CAD 1.6219 EUR/USD 1.1597 EUR/GBP 0.8641 EUR/CHF 0.9211 EUR/ALL 95.0221 EUR/MKD 61.6327 EUR/RSD 117.4206 EUR/TRY 53.7042 EUR/JPY 185.77 EUR/CAD 1.6219
16 Jun 2026
Breaking
Ekonomia

Cilat janë kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend, rritja e “Nova Construction”

Lajmet Kryesore Ndërtim dhe Infrastrukturë Nga Vendi

Cilat janë kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend, rritja e “Nova Construction”

Share Share Icon

Ngritja e projekteve rezidenciale, investimet publike, kryesisht në ndërtimin e rrugëve, turizmi, që po nxit si ndërtimin e hoteleve, komplekseve për banim, ashtu dhe me blerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht nga të huaj janë faktorët kryesorë që ndikojnë në tendencën e ndërtimit e pasurive të paluajtshme.

Prodhimi i sektorit të ndërtimit, që mat vlerën totale të aktivitetit të sektorit dhe është shumë më afër xhiros, sipas INSTAT ishte 600 miliardë lekë në 2024-n, ose mbi 6 miliardë euro.

Që prej 2014-s, sektori i është rikthyer ciklit të zgjerimit dhe në vitin 2024 arriti në nivelin më të lartë historik në vlerë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

 

Burimi: INSTAT

 

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërtimi zë rreth 12% të ekonomisë.

Teksa SPAK ka gjetur se një ndër kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend “Nova Construction” ishte e përfshirë në skema pastrimi parash, Monitor po riboton renditjen e kompanive më të mëdha në vend të ndërtimit për projektet e infrastrukturës dhe ato rezidenciale.

Nga 200 sipërmarrjet më të mëdha në vend sipas të ardhurave, numri i kompanive të ndërtimit dhe atyre të industrisë mbështetëse në vitin 2024, ishte 39.

Këto kompani qarkulluan rreth 200 miliardë lekë (2 miliardë euro) në vitin 2024, me rritje prej 10% në krahasim me vitin e mëparshëm. Zgjerimi ka ardhur si nga projektet e infrastrukturës, ashtu dhe ato rezidenciale, ku mbizotërojnë projektet në hoteleri e fshatra turistikë.

 

Burimi: INSTAT

 

Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve.

“Gener 2”, me aktivitet në ndërtimet inxhinierike, rezidenciale dhe menaxhimin e qendrave tregtare, ka shënuar rritje të ndjeshme në 2024-n duke kaluar në sipërmarrjen më të madhe të këtij segmenti në vend.

Të ardhurat u rritën me 73% në 16.3 miliardë lekë, e ndikuar nga zëri “shitje ndërtimi për të tretë”, sipas raportimeve në bilanc.

Kompania është zgjeruar ndjeshëm në ndërtimet rezidenciale vitet e fundit, nëpërmjet ngritjes së disa komplekseve pranë zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet. Sipas raportit vjetor, rreth 90% e të ardhurave ka ardhur nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitja e objekteve të banimit, ndërsa pjesa tjetër, nga qiratë e shërbimet në qendrat e biznesit dhe shitja e mallrave në qendrën tregtare “Coin”. Një vit më parë, ky raport ishte 73%. Të ardhurat nga qendra “Coin” ishin rreth 1.4 miliardë lekë në 2024-n, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.

“Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kaloi në të dytën më të madhe në segmentin e ndërtimeve civile, industriale e rezidenciale në vitin 2024.

Kompania raportoi të ardhura prej 10.6 miliardë lekësh, me tkurrje prej 2% në raport me vitin 2023, pas rritjes me 35% vitin e mëparshëm. Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2024 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit.

Gjithashtu, edhe me projekte të tjera: ndërtimi i tunelit të Llogorasë në seksionin rrugor Orikum-Himarë; ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal burimi i Përroit të Lopës; hartimi i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e Godinës (seksioni B) në zonën Zhvillimore Kombinat; ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 6; Sistemim, asfaltim, rruga Ura e Cerenecit, Peshkopi, loti 3; zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë, Faza V; punime për ndërtimin e hidrocentralit Gojan; rehabilitimi i rrugës Fier – Kthesa e Patosit -Frataj etj.

“Shijaku” ishte edhe në vitin 2024 një ndër sipërmarrjet më të mëdha të ndërtimeve në vend. Të ardhurat e saj ishin rreth 8.2 miliardë lekë, me rënie 8.4%. Kompania është zgjeruar vitet e fundit në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe HEC-eve, si dhe përpunimit të materialeve të ndërtimit. Në pjesë të aktivitetit, kompania e ka në shitjen e skrapit. Kompania ka aktivitete dhe në eksporte, për të cilin thotë se ka rritje.

“Gjatë vitit 2024, të ardhurat nga shitjet e mallrave për eksport janë rritur në krahasim me vitet e kaluara, për shkak të zgjerimit të aktivitetit dhe mundësive të reja në treg dhe shfrytëzimit me eficiencë të burimeve (eksporti i mbetjeve industriale skrap hekuri). Pra në të njëjtën periudhë është eksportuar skrapi dhe është importuar hekur ndërtimi”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Salillari” raportoi një qarkullim vjetor prej rreth 9 miliardë lekësh (kompania nuk ka dorëzuar bilanc). Aktiviteti kryesor i shoqërisë është i orientuar drejt ndërtimit të veprave të infrastrukturës rrugore, të fituara nga prokurime publike apo nga operatorë të tjerë të tregut, si dhe në prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe kryerjen e shërbimeve të tjera si aktivitete dytësore.

“Alb-Star” deklaroi një qarkullim vjetor prej gati 5 miliardë lekësh, me rritje 10%. Nga dhjetori i vitit 2016, “Alb-Star” është pjesë e grupit holding “Finman”. Sipas raportit, aktiviteti kryesor i shoqërisë është në fushën e ndërtimit, import-eksport i produkteve industriale, shitja me shumicë e ujit të pijshëm dhe industrial dhe shërbimet e transportit. Kompania raporton se numri i punonjësve ka zbritur në 291, nga 432 në vitin 2023.

“2T”, që ushtron aktivitetin në ndërtimin e veprave infrastrukturore si rrugë, kanalizime, rikonstruksione, ka më se dyfishuar të ardhurat në 4.9 miliardë lekë në 2024-n. Sipas raportit vjetor, “kjo rritje është rezultat i kontratave të reja të fituara dhe intensifikimit të punimeve në kantiere të ndryshme”.

“Gjikuria” raportoi të ardhura 4.3 miliardë lekë, me tkurrje vjetore prej 3.5%. Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2024 e në vazhdim, shoqëria ka realizuar projekte të ndryshme të financuara nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe sipërmarrje në fushën e hotelerisë dhe turizmit, hotele dhe apartamente dhe ka shumë projekte të tjera në vazhdimësi.

“Rafealo 2002” deklaroi të ardhura prej 4.3 miliardë lekësh, me një tkurrje prej 1.7% me bazë vjetore. Shoqëria, sipas faqes së internetit, ka aktivitet në ndërtim, me projekte në Shëngjin, Kashar, Golem, Tiranë, Mal të Zi, transport, hidrocentrale, hoteleri e turizëm etj.

Alb Building” deklaroi të ardhura 4 miliardë lekë, me zgjerim prej 16.2%. Kompania është përfshirë në disa projekte si segmenti rrugor Qukës – Qafë-Plloçë, zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (faza I) si dhe projekte të tjera për ndërtime urash, rehabilitime të rrugëve, mbrojtje nga rrëshqitjet etj. “Gjatë vitit, shoqëria ka zhvilluar aktivitet intensiv për pjesën e ndërtimit duke aktivizuar numër të konsiderueshëm personeli gjatë gjithë periudhës kontabël”, thuhet në raportin e aktivitetit.

Për të pestin vit radhazi, në listën e më të mëdhave është “Alesio-2014”, me aktivitet në ndërtimin dhe tregtimin e betonit, që vijon të performojë, ndonëse aktiviteti i saj është sekuestruar në gusht 2022 nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Kompania, e cila furnizon me beton shoqëritë e ndërtimit, ka rritur ndjeshëm qarkullimin vjetor në 2024-n, me 42%, duke deklaruar të ardhura prej 3.8 miliardë lekësh.

Sipas përshkrimit në raportet e dorëzua në QKB, kompania është zotëruese e fabrikës Asfalto-Betoni, dy impianteve të betonit, gurore inertesh dhe gurore gipsi, operon në fushën e ndërtimit, si ndërtim-rikonstruktim dhe mirëmbajtje të objekteve civile, infrastrukturore, industriale dhe energjetike.

“G.P.G COMPANY”, që merret kryesisht me punë të lidhura me fonde publike, në ndërtimin e rrugëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, ra me 7.3% në 3.45 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit gjatë vitit 2024 ka pasur një performancë më të ulët krahasuar me vitin 2023, në drejtim të realizimit të të ardhurave dhe ulje për fitimin neto.

“Shoqëri e Thjeshtë INTEKAR – ASL” është për të tretin vit radhazi në listën e më të mëdhenjve të ndërtimit, me të ardhura prej 3.3 miliardë lekësh, me rënie 54% me bazë vjetore. Kompania ka fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

“Fusha sh.p.k.” raportoi të ardhura prej gati 2.9 miliardë lekësh, me rënie 22% në raport me vitin e mëparshëm. Sipas raportit vjetor, “gjatë vitit financiar të mbyllur më 31 dhjetor 2024, shoqëria ka ushtruar aktivitetin në fushën e ndërtimit, pastrimit, shitjes së pasurive të paluajtshme dhe dhënies me qira të tyre.

Aktiviteti është shtrirë kryesisht në Tiranë, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Durrës etj., i cili lidhet kryesisht me aktivitetin e ndërtimit të objekteve civile dhe infrastrukturës rrugore. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat kanë pësuar rënie për shkak të përfundimit të kontratës së pastrimit të qytetit të Tiranës, e cila ka qenë e aplikuar në vitin financiar të mbyllur më 31 dhjetor 2023”.

“INC S.P.A.”, kompania italiane që është e angazhuar në ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Rinas – Durrës, raportoi një rënie të të ardhurave me 27% në 2024-n, duke zbritur në 2.4 miliardë lekë.

Geci” ka deklaruar 2 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rënie 14.5% duke dalë nga lista e “Monitor 200”. Një pjesë të aktivitetit, kompania e ka të lidhur me aktivitetin e Hotel Tirana. Sipas raportit të aktivitetit, hoteleria ka sjellë 741 milionë lekë të ardhura, ose 37% të të ardhurave.

“Bami Holding” është një hyrje e re nga sektorin i ndërtimit në listën e “Monitor” 200, pas rritjes së shpejtë të aktivitetit në 2024-n. Kompania raportoi të ardhura prej 2.64 miliardë lekësh, me një zgjerim vjetor prej 37.5%. E themeluar në vitin 1999, “Bami Holding” sh.p.k. është e specializuar në fushën e ndërtimeve të rrugëve dhe autostradave, civile dhe industriale, sipas raportit të aktivitetit.

“Elmazaj Konstruksion” është një tjetër kompani që po i afrohet listës së “Monitor 200”, duke u pozicionuar në vendin e 201. Shoqëria raportoi të ardhura prej 2.4 miliardë lekësh, me një zgjerim prej 82% me bazë vjetore. Sipas faqes së internetit, kompania ka kontrata të shumta për punime inxhinierike në fushën e punëve publike.

Sektori rezidencial, më mirë po ecën bregdeti

Vitet e fundit, sektori i ndërtimeve rezidenciale njohu rritje të vazhdueshme, i nxitur nga shtimi i ndjeshëm i lejeve të ndërtimit, kanalizimi i parave informale në blerjen e pasurive të paluajtshme, si dhe blerjet nga të huajt, sidomos në zonat turistike. Shtrenjtimi i vazhdueshëm i çmimeve të apartamenteve është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e qarkullimit vjetor të këtij segmenti.

Shtimi i blerjeve të pasurive të paluajtshme nga të huajt është një faktor tjetër që po vazhdon të nxisë sektorin.

Ndryshe nga viti 2023, kur një sërë projektesh rezidenciale raportuan rënie, në 2024-n është shënuar rritje e fortë e më të mëdhenjve, sidomos e projekteve që po zhvillohen në bregdet.

“Green Coast”, pjesë e grupit BALFIN që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug, ishte shoqëria më e madhe për ndërtimet rezidenciale në vend, me të ardhura prej 8.1 miliardë lekësh, me zgjerim vjetor 14.6%.

Shoqëria zhvillon projekte elitare në zonën e Jugut, me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe hotelerisë. Kompania është investitore dhe ndërtimin e kryen përmes nënkontraktorëve. Sipas raportit të aktivitetit, projektet kryesore janë “Green Coast Resort and Residences”, që po ndërtohet në brigjet e detit Jon; “Green Coast Resort Village” që do të shtrihet në afro 500,000 m² tokë me më shumë se 290,000 m² ndërtim dhe “Hotel MGallery”, brand me 5 yje nën markën “MGallery”, me 118 dhoma, mbi 16,000 m² ndërtim, në një truall prej mbi 8,000 m².

“BALFIN Construction” (ish-Mane TCI), edhe kjo pjesë e grupit BALFIN, e fokusuar në ndërtim, raportoi të ardhura prej rreth 4.6 miliardë lekësh, me rënie 9.1% me bazë vjetore. Sipas raportit vjetor, “e themeluar në vitin 2001, ‘BALFIN Construction’ është e specializuar në fushën e ndërtimeve civile dhe industriale, si: qendra tregtare, godina rezidenciale, qendra sociale e kulturore dhe ndërtime infrastrukturore”.

Ajo ka ndërtuar tre projektet e godinave “Ambasador” në Tiranë, “Park Gate”, “Rolling Hills Luxury Residences”, “Green Coast Resort and Residencies” etj. Kompania thotë në raportin vjetor se faktorët kryesorë që ndikojnë këtë industri janë: Mungesa e fuqisë punëtore dhe produktiviteti i tyre; rreziqet e shëndetit dhe sigurisë në punë; mospërmbushja e kushteve nga nënkontraktorët; ndryshimet e kërkesave të klientëve; rritja e kostos së materialeve të ndërtimit; ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit në monedhën funksionale.

“NOVA Construction 2012” është një nga subjektet ndërtuese rezidenciale me rritjen më të fortë në tre vitet e fundit. Në 2024-n, të ardhurat e saj arritën në 5.7 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 59%, duke u renditur e treta më e madhja në vend në segmentin rezidencial.

Sipas raportit vjetor, rreth 40% e të ardhurave ishin nga aktiviteti i ndërtimit dhe gati 60% nga aktiviteti investues (të ardhurat nga kontratat me klientët). Vitin e fundit, kjo shoqëri është përfshirë në disa projekte të mëdha rezidenciale në vend dhe pritet të fillojë ndërtimin e “Malit të Tiranës”, kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit në kryeqytet.

“Kastrati Construction” vijoi rritjen e fortë të aktivitetit me 57.5%, në 4.2 miliardë lekë. Një ndër projektet më të mëdha të shoqërisë është investimi dhe ndërtimi në një godinë shumëfunksionale “Down Town One”, me 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nën tokë, në bulevardin “Zhan Dárk”.

“Agi Kons” raportoi të ardhura prej 3.9 miliardë lekësh, me rritje vjetore 16%. Pjesa më e madhe e të ardhurave të shoqërisë vijnë nga punimet e ndërtimit për të tretë, sipas bilancit, ndërsa rritja është ndikuar kryesisht nga “të ardhura nga punime ndërtimi të padorëzuara klientit”.

“Concord Investment” ka hyrë sërish në listën e më të mëdhenjve të ndërtimit, pas rritjes së të ardhurave me 374%, në 3.4 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, “Shoqëria ‘Concord Investment’ sh.p.k. është investitore në një sërë projektesh të rëndësishme në lëmin e pasurive të paluajtshme, dhe çka është më e rëndësishme është novatore në fushën e investimit në shërbimet e hoteleri-turizëm duke qenë ndër të parat që kanë marrë statusin e veçantë të investitorit në hotelet me 5 yje.

Ky ka qenë ndër objektivat kryesorë të shoqërisë për vitin 2024 dhe është arritur falë investimeve të shoqërisë dhe partnerëve të saj në ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje ‘San Pietro’ në Gjirin e Lalëzit. Investimi në këtë projekt ka pasur ecuri mjaft të kënaqshme për vitin 2024 dhe nuk është i vetmi për shoqërinë. Shoqëria ka përmbyllur investimin në qendrën rezidenciale, kompleksi ‘Fiori di Bosco’ në rrugën ‘Don Bosko’.

Kompania po investon në ndërtimin e një kompleksi ambientesh magazinimi në Kashar, i pari i llojit të tij në Tiranë. Faza e parë është përmbyllur, dhe ndërkohë kanë filluar dhe vijuar punimet për fazën e dytë të strukturave magazinore”.

“Kontakt sh.p.k.” deklaroi një qarkullim vjetor prej 3.2 miliardë lekësh, me rritje prej 6.6% në raport me vitin e kaluar. (Të ardhurat nga shitjet ishin rreth 1.4 miliardë lekë dhe 1.8 miliardë lekë nga ndryshimi në inventarin e mallrave dhe prodhimit në proces, që janë objekte në zhvillim dhe njësitë e hipotekuara në proces shitje).

Sipas faqes së internetit, kompania ka disa projekte banesash me markën “Mangalem”, po ndërton kompleksin e vilave “Abi”, në periferi të Tiranës, si dhe ka nisur rezervimet për projektin “Pyjet e Drilonit”, që është shumë pranë Parkut të Drilonit, në Pogradec.

“Park Construction Albania” ka vijuar rritjen për të tretin vit radhazi, me të ardhurat që arritën në 3 miliardë lekë, me zgjerim prej 10%. Por, kompania raporton se ka pasur disa vështirësi, kryesisht inflacioni (si kudo në rajon), por edhe një tkurrje në aktivitetin industrial dhe të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2024 pas efektit që dhanë çmimet më të larta të importit të materialeve të prodhimit dhe ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit.

Për vitin 2024, shoqëria përfundoi një proces privatizimi të një trualli me sipërfaqe rreth 28,000 m², si dhe filloi ndërtimin e një objekti të ri. Në raport parashikohet, që përfitueshmëria e shoqërisë për vitin 2025 pritet të shënojë një rritje të lartë, kjo si pasojë e rritjes së shitjeve, si dhe ndërtimeve të reja që pritet të ndërtohen.

“Arlis Ndërtim” raportoi në 2024-n të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh, me një rënie prej 5.2% me bazë vjetore. Kompania po zhvillon projekte të shumta në Bashkinë e Tiranës, sipas faqes së saj të internetit.

“O R I O N”, me aktivitet në ndërtime civile e turistike, raportoi të ardhura prej rreth 1.5 miliardë lekësh. Sipas burimeve zyrtare, kompania është e përfshirë në një sërë projektesh rezidenciale e komplekse banimi e vila, por së fundi po diversifikohet dhe në turizëm.

“Durrës Marina sh.a.”, shoqëria që po menaxhon projektin strategjik të Marinës së Jahteve në Durrës, prej dy vitesh ka filluar shitjen e apartamenteve, të cilat në bilanc i deklaron në zërin “Detyrime nga kontratat me klientë”. Megjithëse kompania ka raportuar të ardhura zero, sepse “të ardhurat do të njihen në momentin e dorëzimit të njësive të banimit, fillimisht në vitin 2025”, tatimet e rendisin atë në listën e shoqërive më të mëdha. Në dy vjet, zëri i detyrimeve nga kontratat me klientët ka arritur në 4.17 miliardë lekë, përkatësisht 1.87 miliardë lekë në vitin 2023 dhe 2.3 miliardë lekë në vitin 2024.

Shoqëria është pajisur me Status të “Investim/Investitor Strategjik” për projektin e investimit “Durrës Yachts & Marina”, për një periudhë 20-vjeçare. Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma.

Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.

Pala shqiptare ka kontribuar me tokën ku do të ndërtohet kompleksi rezidencial “Durrës Marina”. Përveç ofrimit të truallit, qeveria shqiptare do të çlirojë kompaninë nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit të infrastrukturës dhe fondit të strehimit social, që vlerësohen në rreth 7% të vlerës së parashikuar të shitjeve.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.