Debati për enët e palara përfundon në dhunë në Romë, 50-vjeçarja arrestohet për tentativë vrasjeje ndaj partnerit
Një debat për enët e palara në kuzhinë përfundoi në dhunë të rëndë në lagjen Tufello të Romës: një 50-vjeçare u arrestua, e akuzuar se goditi partnerin me ngrohëse elektrike dhe tentoi ta mbyste me kabllo.
Një debat banal për enët e palara në lavamanin e kuzhinës përfundoi në një episod të rëndë dhune në Romë, ku një 50-vjeçare përfundoi në pranga, e akuzuar për tentativë vrasjeje ndaj partnerit të saj, siç njofton BalkanWeb.
Ngjarja ndodhi në lagjen Tufello, ku gruaja dyshohet se e sulmoi partnerin me një ngrohëse elektrike, duke e goditur disa herë, dhe më pas tentoi ta mbyste me kabllon e pajisjes. Shkak dyshohet se u bë fakti që burri kishte lënë sërish enët e palara në lavaman.
Ngjarja ndodhi pak ditë më parë, rreth orës 21:30, në banesën ku çifti jetonte së bashku. Pas alarmit të fqinjëve, karabinierët gjetën gruan të hipur mbi partnerin, i cili ndodhej i shtrirë në një pellg gjaku dhe pothuajse pa ndjenja; efektivët ndërhynë menjëherë, ndërsa i plagosuri u transportua në poliklinikën Umberto I.
Para hetuesve, burri rrëfeu se debati përshkallëzoi: i tha se do t’i lante vetë enët, por ajo nuk u ndal dhe ai humbi ndjenjat. Ai pësoi frakturë të septumit të hundës dhe të njërës mollëz, dëmtime në kokë, mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit dhe lëndime në duar, me të cilat ishte përpjekur të mbrohej.
Pas arrestimit, gruaja u dërgua fillimisht në një institucion shëndetësor për kontrolle fizike dhe psikologjike dhe më pas u transferua në burgun e Rebibbias. Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që ajo të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e sulmit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.