Denis Bizhga: “Albania International Guitar Festival” gjatë kësaj dekade është kthyer në një pikë takimi të…
Një nga ngjarjet e rëndësishme muzikore “Albania International Guitar Festival” mbërrin këtë vit në edicionin e dhjetë. Festivali feston 10-vjetorin e tij, duke sjellë në Shqipëri artistë njohur të kitarës botërore. Edicioni jubilar nis më 22 maj në Tiranë me performancën e njohur të Amadeus Guitar Duo, për të vijuar dhe me të tjerë koncerte. Në 10-vjetorin e tij, festivali sjell një muaj muzikë, edukim dhe frymëzim, duke vendosur Shqipërinë në hartën e ngjarjeve ndërkombëtare, ndërsa drejtori artistik dhe themeluesi i festivalit, Denis Bizhga, e cilëson këtë përvjetor si një moment të veçantë reflektimi dhe krenarie.
“Me krenari dhe emocion, këtë vit festojmë 10-vjetorin e Albania Guitar Festival, një rrugëtim artistik që ka sjellë në Shqipëri tingujt dhe energjinë e disa prej kitaristëve më të mirë në botë. Gjatë kësaj dekade, festivali është kthyer në një pikë takimi të rëndësishme për artistë të njohur ndërkombëtarë”, shprehet Bizhga rreth festivalit.
Jo vetëm koncerte për publikun, por edicioni i 10-të i “Albania International Guitar Festival” do të përfshijë masterklasa, workshope, prezantime kitarash, seminare dhe projektime filmash dokumentarë kushtuar figurave të rëndësishme të kitarës. Sipas drejtorit artistik Denis Bizhga, në këtë mënyrë, festivali nuk kufizohet vetëm te skena koncertore.
“Por ndërton një platformë të plotë edukimi, shkëmbimi dhe formimi artistik”, vijon ai. Edicioni i këtij viti nis këtë muaj, por gjatë viteve të tij, festivali ka sjellë në Shqipëri emra të njohur si José María Gallardo del Rey, Paco Seco, Anton Baranov, Luigi Attademo, Quartetto di Cremona, Barcelona Duo, Vienna Duo, Petrit Çeku, Vlatko Stefanovski, Gabriel Guillén, Refik C. Kaya, Ingrid Riollot, Eduardo Inestal, Gerhard Reichenbach, Daniel März, Florian Palier e shumë të tjerë.
Koncertet përgjatë festivalit
Tirana do të hapë më 22 maj siparin e edicionit të 10-të të “Albania International Guitar Festival” me një nga formacionet më të njohura të kitarës në botë, Amadeus Guitar Duo, i përbërë nga Dale Kavanagh dhe Thomas Kirchhoff. Kalendari zyrtar i Amadeus Guitar Duo e shënon Tiranën si pjesë të agjendës së tyre koncertore më 22 maj 2026, në kuadër të “10th Int. Guitar Festival”. Më 25 maj, festivali do të mirëpresë kitaristen turke Dr. Ayşegül Koca, një emër i rëndësishëm i skenës së kitarës në Turqi dhe më gjerë.
Programi i këtij edicioni vijon më 4 qershor me Capreolus Duo, i përbërë nga Julian Richter dhe Verena Merstallinger nga Austria, të cilët do të performojnë në Tiranë. Një ditë më pas, ky formacion do të ngjitet në skenën e veçantë të Kishës së Shelbuemit në Rubik. Ndërsa më 11 qershor, Tirana do të presë një mbrëmje me ngjyra të tjera muzikore, Erkand Morina Duo do të sjellë një performancë gypsy jazz.
Më 13 qershor, festivali zhvendoset në Durrës, ku do të performojë kitaristi i ri shqiptar Xhoni Xhavari, një nga emrat premtues të brezit të ri. Një tjetër kulm i edicionit jubilar do të jetë më 18 qershor, kur në Tiranë do të jetë i ftuar kitaristi italian me famë botërore Aniello Desiderio. Ndërsa në pjesën përmbyllëse të festivalit, publiku i kryeqytetit do të ketë mundësinë të dëgjojë edhe Carmesí Guitar Duo, të përbërë nga kitaristet spanjolle Isabel Martínez dhe Paola Requena.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.