Deputetja e PS-së: Fëmijët u përdorën në protestë, policia duhet të mbajë përgjegjësi për tejkalimet
Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, ka komentuar përplasjet mes policisë dhe protestuesve gjatë protestës studentore, e cila vijon prej 10 ditësh. E ftuar këtë të enjte në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, ajo kritikoi përfshirjen e të miturve në protestë, duke deklaruar se fëmijët janë përdorur nga forcat e pranishme në tubim. Në të njëjtën kohë, Bylykbashi kërkoi që çdo punonjës policie që ka tejkaluar kompetencat të mbajë përgjegjësi sipas ligjit.
“Shumë e shëmtuar që u përdorën fëmijët në atë protestë”, u shpreh Bylykbashi, duke shtuar se duhej të ishin bërë thirrje që të miturit të distancoheshin nga situatat e dhunshme dhe të mos përdoreshin në përballjet me policinë.
Sipas saj, prania e të miturve në një turmë ku hidhen molotovë dhe sulmohen efektivët i ekspozon ata ndaj rrezikut, pasi policia mund të ndërhyjë për të ndaluar dhunën.
“Ju të parët duhet të ishit që të bënit thirrje që fëmijët të distancoheshin nga ajo protestë e të mos përdoreshin, siç janë përdorur nga të gjitha forcat që kanë qenë pranë protestës”, deklaroi ajo.
Megjithatë, Bylykbashi theksoi se reagimi i policisë duhet të jetë proporcional dhe se përdorimi i forcës ndaj një protestuesi nuk mund të justifikohet pasi ai është neutralizuar.
“Në momentin që ti e neutralizon një protestues, nuk ke pse e shkel më pas”, u shpreh ajo, duke kërkuar që çdo efektiv që ka tejkaluar kompetencat të përballet me përgjegjësinë që parashikon ligji.
Një tjetër pikë e diskutimit ishte përdorimi i plumbave të gomës dhe pamjet e protestuesve të lënduar gjatë përplasjeve. Bylykbashi e cilësoi skandaloze mënyrën e përdorimit të tyre, duke vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e ndërhyrjeve policore.
“Është skandaloze, sepse plumbat e gomës nuk përdoren në këtë mënyrë”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar krahasimit të kryeministrit Edi Rama me vendet e tjera të Europës për numrin e efektivëve të plagosur, Bylykbashi argumentoi se analiza nuk duhet të kufizohet vetëm te shifrat, por duhet të marrë në konsideratë edhe mënyrën se si reagojnë forcat e rendit.
Sipas saj, pamjet e ditëve të fundit ngrenë pikëpyetje për ashpërsinë e reagimit të policisë shqiptare krahasuar me atë në vende të tjera europiane.
Në të njëjtën kohë, ajo nënvizoi se policia ka një rol thelbësor në garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e pronës publike e private, duke theksuar se respekti për uniformat blu duhet të shoqërohet me llogaridhënie për çdo rast të tejkalimit të forcës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.