Dita e Alfabetit, qytetarët ankohen për shpërfilljen e gjuhës shqipe
Në 118-vjetorin e Ditës së Alfabetit, qytetarët në Manastir thonë se gjuha shqipe nuk po zbatohet si duhet në institucione, ndërsa krerët shtetërorë dërguan urime.
Me rastin e 118-vjetorit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Manastir zhvillohen aktivitete të shumta, raporton Alsat. Për qytetarët, 22 Nëntori është vetëm ditë feste dhe krenarie kombëtare, por ata shprehin pakënaqësi me gjendjen e gjuhës shqipe dhe mënyrën se si po zbatohet në institucionet e vendit.
“Ditë e shenjtë është për neve. Për momentin mirë ka qenë, por tani kjo qeveria e re nuk e zbaton, nuk ka asgjë”, tha një qytetar për Alsat.
“Për mua është gëzim, se duhet që gjithë shqiptarët të festojnë këtë ditë. Për momentin gjuhën shqipe e kanë bërë për askund”, thotë një qytetar tjetër.
“Dita e Alfabetit është dita e diturisë. Por tani nuk është mirë, por do tentojmë të bëhet më mirë”, theksoi një qytetar tjetër.
Kreu shtetëror në Maqedoninë e Veriut ka uruar shqiptarët në Ditën e Alfabetit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova vlerësoi se Kongresi i Manastirit shënoi një kthesë në zhvillimin e kombit shqiptar përmes arsimit dhe kulturës. Edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi rëndësinë e barazisë, respektimit të identitetit gjuhësor e kulturor dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. Urime përcolli edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se gjuha, alfabeti dhe trashëgimia kulturore janë vlera themelore të identitetit të çdo populli dhe se respektimi i dallimeve e forcon shoqërinë. Urime pati dhe nga liderët e partive politike shqiptare, thekson Alsat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.