“Do ta publikoja sërish”, Ariana Grande flet për polemikat rreth “Petal”

Ariana Grande ka folur hapur për reagimet që pasuan publikimin e videoklipit të saj “Petal”, duke treguar se, pavarësisht kritikave, nuk është penduar për mënyrën se si e ka realizuar projektin.
Gjatë një interviste në podcastin “Las Culturistas”, këngëtarja u ndal te paradoksi që shoqëroi videoklipin: një projekt artistik që synonte të pasqyronte gjykimin dhe paragjykimet e publikut përfundoi duke u bërë vetë objekt kritikash.
“Është çmenduri. Ishte si një episod i ‘Black Mirror’”, u shpreh ajo, duke iu referuar mënyrës se si publiku e interpretoi videoklipin.
Grande tregoi se fillimisht kishte menduar se projekti do të shërbente si një mënyrë për të zbuluar diçka personale dhe për të ndarë një anë më të pambrojtur të vetes. Megjithatë, reagimet që pasuan ishin krejt të ndryshme nga sa kishte parashikuar.
Pavarësisht kësaj, këngëtarja theksoi se është krenare për rezultatin dhe se nuk do të ndryshonte asgjë.
“Do ta publikoja sot, pikërisht ashtu siç është”, deklaroi ajo.
Videoklipi i “Petal” trajton marrëdhënien e ndërlikuar të Ariana Grandes me famën, duke e paraqitur atë në situata të përsëritura refuzimi gjatë audicioneve. Pas publikimit të tij, diskutimet në rrjetet sociale u përqendruan sërish edhe te pesha e këngëtares.
Ajo pranoi se reagimet e publikut e kanë lënduar në të kaluarën, por këmbënguli se nuk ka lejuar kurrë që pritshmëritë e të tjerëve të diktojnë zgjedhjet e saj artistike.
“Reagimet e njerëzve nuk e kanë përcaktuar kurrë mënyrën se si kam krijuar muzikë”, tha Grande.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.