NASA e përplasi qëllimisht me asteroidin, ESA publikon imazhet e para të kraterit gjigant në Dimorphos! Test për të mbrojtur…
Katër vjet pas misionit historik të NASA-s për të ndryshuar orbitën e asteroidit Dimorphos, Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA) ka publikuar imazhet e para nga afër që tregojnë pasojat e përplasjes së qëllimshme.
Fotografitë, të siguruara nga misioni Hera i ESA-s, zbulojnë një krater gjigant në sipërfaqen e Dimorphos, me përmasa që krahasohen me një fushë futbolli. Asteroidi ka një diametër prej vetëm 151 metrash dhe rrotullohet rreth asteroidit më të madh Didymos.
Pamjet tregojnë ndryshimet e shkaktuara nga misioni DART i NASA-s, i cili në vitin 2022 u përplas qëllimisht me Dimorphos për të testuar nëse një goditje e kontrolluar mund të ndryshonte trajektoren e një asteroidi që mund të përbënte rrezik për Tokën.
Qindra shkëmbinj lëvizin pranë asteroidit
Një prej zbulimeve që ka habitur shkencëtarët e ESA-s është prania e qindra shkëmbinjve që lëvizin në afërsi të Dimorphos. Ata ndodhen në distanca të vogla nga asteroidi, por nuk rikthehen në sipërfaqen e tij, pasi graviteti i këtij trupi qiellor është shumë i dobët për t’i tërhequr.
Pas përplasjes së vitit 2022, shkencëtarët konstatuan se misioni DART kishte arritur të ndryshonte orbitën e Dimorphos rreth Didymos. Të dhënat e reja tregojnë se asteroidi vazhdon të jetë i ndikuar nga përplasja dhe se lëvizja e tij është ende e çrregullt.
Misioni Hera do të studiojë më nga afër asteroidin
Faza e ardhshme e misionit Hera parashikon dërgimin e dy satelitëve të vegjël, të cilët do t’i afrohen edhe më shumë Dimorphos për të studiuar sipërfaqen dhe karakteristikat e tij. Sipas të dhënave të publikuara, sonda Hera ndodhet aktualisht rreth 30 kilometra larg asteroidit.
Një nga pyetjet kryesore që shkencëtarët synojnë të marrin përgjigje është se përse Dimorphos nuk u shkatërrua plotësisht nga goditja e anijes hapësinore DART.
Eksperimenti i vitit 2022 ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin e teknologjive për mbrojtjen e Tokës nga asteroidët. Ideja është që, nëse një trup qiellor paraqet rrezik për planetin tonë, një goditje e kontrolluar mund t’i ndryshojë orbitën dhe ta largojë nga trajektorja e përplasjes.
ESA dhe Agjencia Japoneze e Hapësirës po studiojnë prej kohësh metoda të tilla, me synimin për të parandaluar një katastrofë të mundshme të shkaktuar nga një asteroid.
Shkencëtarët theksojnë se ky është një rrezik natyror që nuk duhet nënvlerësuar, ndërsa shprehen të kënaqur që rëndësia e mbrojtjes planetare po kuptohet gjithnjë e më shumë edhe nga publiku dhe politikëbërësit.
Një tjetër mision i rëndësishëm në këtë drejtim është Ramses, i cili pritet të takohet me asteroidin Apophis në vitin 2029, gjatë kalimit të tij pranë Tokës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.