Dogana kap mbi 8 kilogram argjend në Merdare, ishte fshehur në një lavatriçe
Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të metaleve të çmuara në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare, ku janë zbuluar dhe sekuestruar përkohësisht rreth 8.274 kilogramë argjend i padeklaruar.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar të premten, më 14 nëntor, gjatë kontrollit të një furgoni me targa të huaja, i cili ishte në tranzit nga Belgjika drejt një vendi fqinj.
Pas dyshimeve të zyrtarëve doganorë, automjeti është përzgjedhur për kontroll me skaner, ku janë identifikuar parregullsi të mundshme në ngarkesë.
Gjatë kontrollit të detajuar është zbuluar se argjendi ishte fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur, ndërsa malli mund të identifikohej vetëm pas çmontimit të pajisjes.
Sasia e zbuluar përfshinte gjashtë monedha investuese argjendi, me peshë nga një kilogram secila, një lingotë argjendi prej një kilogrami, si dhe dy tuba plastikë me nga 20 monedha argjendi, me peshë prej 31.1 gramësh për monedhë.
Argjendi kishte pastërti prej 99.9 për qind, ndërsa vlera e tij e përafërt në treg vlerësohet nga 8 mijë deri në 10 mijë euro.
Dogana ka bërë të ditur se kontrolli është realizuar në bashkëpunim me zyrtarët përkatës dhe me asistimin e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, malli është sekuestruar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme dhe zhvillimin e procedurave përkatëse kundërvajtëse doganore.
Në njoftim, Dogana e Kosovës ka falënderuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën Amerikane në Kosovë për mbështetjen në pajisjen e institucionit me teknologji moderne të skanimit, e cila, sipas tyre, ka ndihmuar në identifikimin e këtij rasti./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.