Rama pas Asamblesë së PS: Europa është më pranë se kurrë, 9 Maji 2027 do të jetë Dita e Europës dhe e Partisë Socialiste
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si historik rekomandimin e përfshirë në Raportin e Zgjerimit të Bashkimit Europian për nisjen e përgatitjeve të Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste theksoi se ky është një nga momentet më të rëndësishme në rrugëtimin europian të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ndau atë që e konsideron thelbin e raportit të publikuar nga Komisioni Europian, duke e lidhur atë me objektivin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“‘Rekomandojmë nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian’. Kjo është fjalia historike e Raportit të Zgjerimit të BE-së dhe tek togëfjalëshi ‘Traktati i Anëtarësimit të Shqipërisë’ është thelbi i arritjeve tona të mëdha dhe i përgjegjësisë sonë të madhe, për të mos lejuar që asgjë, askush, asnjë furi gurësh, molotovësh, balte apo glasash, të na shpërqendrojë nga misioni historik i Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.”
Kreu i qeverisë u ndal edhe te mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke thënë se aty pa një frymë të re mobilizimi për betejat politike të së ardhmes.
“Ky ishte edhe thelbi i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare sot, ku pashë atë dritën që ndizet në sytë e socialistëve kur zgjohen për të nisur rrugën e një beteje të re, për një fitore të re, për Shqipërinë dhe historinë e saj. 9 maji 2027 do të jetë dita e Europës dhe e Partisë Socialiste. Për këtë s’ka nevojë të shkojmë deri në Kuç”, shkroi Rama.
Më herët, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama e cilësoi rekomandimin e Komisionit Europian si konfirmimin më domethënës të progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit.
“Komisioni Europian ka bërë një rekomandim historik, konfirmimin më kuptimplotë jo vetëm se ecim në drejtimin e duhur, por edhe të ndodhjes së Shqipërisë në pikën e saj më të lartë drejt majës së Bashkimit Europian”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, për herë të parë në dokumentet zyrtare të Bashkimit Europian për Shqipërinë përfshihet rekomandimi për nisjen e përgatitjeve të Traktatit të Anëtarësimit, një zhvillim që ai e konsideroi si hap konkret drejt finalizimit të procesit.
“I rekomandohet Këshillit Europian të nisë gjatë vitit 2027, për pak muaj, përgatitjet për të hartuar Traktatin e Anëtarësimit në BE. Dua ta dëgjojë çdo shqiptar që na ndjek. Është një togfjalësh që shfaqet për herë të parë. Faqja e fundit e historisë që po shkruajmë ne si Parti Socialiste me besimin e shqiptarëve. E paarritshme deri dje, por sot e prekshme. E prekshme jo si premtim fushate.”
Në vijim të fjalës së tij, Rama tha se procesi i integrimit europian ka hyrë në një fazë konkrete dhe se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit të plotë në familjen europiane.
“Sot Europa është e prekshme me sy, përmes gishtit të Këshillit Europian që tregon se ky është momenti për të nisur përgatitjet për traktatin historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Si mundemi ne, në këtë moment historik, të mos mbledhim energjitë tona për ta bërë realitet edhe këtë faqe të fundit të një libri që ka nisur të shkruhet që kur nuk mbahet mend”, deklaroi Rama.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.