Drejtoresha e Teatrit të Kukullave publikon pamjet e dëmtimeve nga protesta: Edhe në trazirat e ’97-ës nuk u prek
Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave, Melsi Qirici reagoi sot pas dëmtimeve të godinës historike gjatë protestës së djeshme, duke publikuar edhe pamje të xhamave të thyer.
Qirici theksoi se Teatri kombëtar i Kukullave, ish-Parlamenti i parë Shqiptar është godinë historike, Monument Kulture i Kategorisë së Parë që ruhet nga shteti shqiptar.
“Sipas dokumenteve zyrtare rezulton të jetë ndërtuar në vitin 1924. Në vitet ’60 e në vijim ka filluar funksionin si teatër kukullash për fëmijë. Godina ka pësuar ndërtime e rindërtime, pas goditjeve të tërmetit dhe ezaurimeve të kohës, lagështirës e fatkeqësive natyrore. Po asnjëherë më parë teatri nuk është dëmtuar nga dora e njeriut. Protagonistë të kohës, aktorë e punonjës të Teatrit Kombëtar të Kukullave vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” rrëfejnë se as në trazirat e ’97-ës teatri nuk është prekur një fije. Aktorët e kanë gdhirë duke mos lejuar askënd të hyjë”, u shpreh Qirici.
Ajo theksoi se pas restaurimit final dhe rijetëzimit në dhjetor 2024, me fonde të BE-së, në kuadër të programit EU4Culture dhe me zbatues UNOPS, teatri u rikthehet fëmijëve me kushte moderne dhe kapacitet të ri krijues e prodhues.
“Jemi kujdesur si staf që të mos ngulet asnjë gozhdë dhe mos dëmtohet asnjë centimetër mur, pavarësisht se shfaqjet e sotme kanë kërkesa teknologjie e logjistika të reja. Ne e ruajmë teatrin si shtëpinë tonë”, shtoi ajo.
Ndërkohë, Qirici u bëri thirrje gjithë protestuesve të mos e prekin teatrin.
“Dje, historia u përsërit! Bashkë me stafin kemi qenë brenda në teatër të ngujuar nga tymi, gazi dhe shishet plastike me benzinë që hidheshin drejt teatrit. Disa prej nesh u asfiksuan, por nuk luajtëm nga teatri, derisa mbaroi çmenduria e radhës. Sot e çdo ditë, do jemi sërish aty, për të riparuar çdo dëm dhe për të rikthyer shfaqjet dhe jetën e vogëlushëve tanë në normalitet. Zemërimi me objektet nuk sjell ndryshim, prodhon vetëm urrejtje. Mos e prekni teatrin, është parlamenti i parë shqiptar. Na takon neve si qytetarë shqiptarë ta mbrojmë dhe ta duam: shkatërrimi sjell shkatërrim”, u shpreh ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.