34-vjeçari Briken Tuci me hemorragji në tru pas protestës, bashkëshortja apelon: Mos e lini vetëm!
Marjonela Krosi thotë se neurokirurgu e ka njoftuar se në trurin e bashkëshortit janë konstatuar disa vatra hemorragjie që për momentin nuk mund të trajtohen me ndërhyrje kirurgjikale; ajo kërkon drejtësi dhe solidaritet
Marjonela Krosi, bashkëshortja e 34-vjeçarit Briken Tuci, i cili u godit nga uji i hedhur prej një autoboti gjatë protestës së djeshme, ka bërë një apel të fortë drejtuar opinionit publik, duke kërkuar solidaritet dhe drejtësi për bashkëshortin e saj, siç njofton Lapsi.al.
Përmes një mesazhi prekës, Marjonela ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Brikenit është kritike. Ajo ndodhet pranë tij në Spitalin e Traumës, ku mjekët e kanë informuar për rezultatet e skanerit të kryer mëngjesin e sotëm.
Sipas saj, neurokirurgu e ka njoftuar se 34-vjeçari ndodhet në rrezik për jetën, pasi në tru janë konstatuar disa vatra hemorragjie, të cilat për momentin nuk mund të trajtohen përmes ndërhyrjes kirurgjikale.
“Ky djalë dhe unë jemi shkolluar në këtë vend, kemi punuar në këtë vend dhe jemi munduar ta ndërtojmë gjithçka me djersën tonë, pa i bërë keq askujt. Nëse ka sadopak drejtësi dhe humanizëm në këtë vend, sot kam nevojë për të gjithë ju. Kam nevojë për zërin tuaj, për mbështetjen tuaj, që të mos humbasim një djalë, një vëlla dhe një bashkëshort. Ju përgjërohem të gjithëve, mos heshtni! Më ndihmoni të luftoj për të. Brikeni po lufton me jetën dhe unë ndihem e vetme përballë kësaj situate. Kërkoj vetëm drejtësi, asgjë më shumë. Ju lutem, mos më lini vetëm në këtë luftë. Mos e lini Brikenin vetëm!”, ka shkruar ajo.
Apeli i Marjonelës vjen në një moment tepër të vështirë për familjen Tuci, ndërsa 34-vjeçari vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës. Familjarët kërkojnë solidaritet dhe drejtësi, ndërsa shpresojnë që gjendja shëndetësore e Brikenit të përmirësohet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.