“Duam t’ju marrim hakun!”, Rama i mahnitur nga pritja në Japoni, fton kryeministren Takaichi në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama është pritur përmes një ceremonie zyrtare këtë të premte, më 22 maj, nga kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ku ndodhet në një vizitë zyrtare në Tokio.
Gjatë kësaj ceremonie solemne u kënduan himnet e dy vendeve, ndërsa të dy liderët parakaluan para trupave ushtarake të veshura me të bardha.
“E mirëpres me zemër vizitën e kryeministrit Edi Rama sot. Jam shumë e lumtur t’ju takoj sot për herë të parë! Shqipëria është një partnere e rëndësishme me të cilën ndajmë parime dhe vlera të përbashkëta. Ne jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Japonia në kuadër të nismës së bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE. I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal, një rajon me histori komplekse.
Do dëshiroja të falënderoja Shqipërinë për mbështetjen e vizionit për një indo-paqësor të lirë dhe të hapur”, tha kryeministrja japoneze e cila veçoi autonominë dhe qëndrueshmërinë si dy elementët kryesorë të këtij vizioni. Ajo shtoi gjithashtu se dëshiron ta thellojë më tej bashkëpunimin e Japonisë me Shqipërinë.
Ndërsa kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij, u shpreh i mahnitur nga pritja që iu bë.
“E nderuar kryeministre, së pari më lejoni t’ju falënderoj për mikpritjen tuaj, të cilën nuk do ta harroj. Kam pasur mundësinë të jem pjesë e shumë ceremonive, por kjo e sotmja është e veçantë.
Kjo është vizita ime e dytë në Japoni në një kohë relativisht të shkurtër dhe ne presim fuqizimin e kësaj marrëdhënieje. Mbështesim plotësisht të gjithë përmbajtjen e kësaj strategjie, eksplorojmë mundësitë se si mund të afrohemi me Japoninë”, tha Rama, i cili më tej gjatë fjalës së tij e ftoi kryeministren japoneze të vizitojë vendin tonë.
“Vitin e ardhshëm në Tiranë ne do të organizojmë Samitin e NATO-s. Kam kënaqësinë e veçantë t’ju ftoj të merrni pjesë në samit. Kur të vini, do të jetë rasti i parë që një kryeministër i Japonisë do të vizitojë Shqipërinë në një vizitë shtetërore dhe në një farë mënyre të marrim hak për këtë vizitë kaq të ngrohtë që na ka lënë mbresa”, shtoi Rama.
Pasi e përgëzoi për “fitoren fantastike” në zgjedhje, Rama iu drejtua asaj se është “mbresëlënëse që shikojmë një grua në krye të qeverisë me të gjithë liderët e tjerë burra në kabinetin e saj. Jeni gruaja e dytë në botë që e bëni këtë pas Margaret Thatcher të Mbretërisë së Bashkuar.”
Më herët gjatë ditës, Rama zhvilloi një takim me Ligën Parlamentare të Miqësisë Japoni–Shqipëri, të kryesuar nga Minoru Kiuchi. Ky i fundit është Ministër për Strategjinë e Rritjes së Japonisë.
Më vonë kryeministri do të vizitojë gjithashtu Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku do t’u drejtohet pjesëmarrësve në një panel diskutimi me titull “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”, mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, transformimet globale dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e qëndrueshëm.
Më 21 maj, kreu i qeverisë ishte në kryeqytetin e Koresë së Jugut, ku mbajti një fjalim në Konferencën Aziatike të Lidershipit. Ai u takua edhe me homologun e tij Kim Min-seok, ndërsa në rrjetet e tij sociale ndau foto nga takimet me disa nga “kolosët e industrisë koreano-jugore”, siç i quan ai drejtuesit e kompanive LG Group, KIA Coorporation, LOTTE GROUP.
Në këtë tur, ai shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe delegacioni shqiptar.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.