☁️
Tiranë 13°C · Vranët 25 Tetor 2026
S&P 500 7,624 ▼0.52%
DOW 52,215 ▼1.23%
NASDAQ 25,955 ▼0.21%
NAFTA 103.27 ▲3.82%
ARI 4,008 ▼1.29%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1203 EUR/GBP 0.8377 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 90.7456 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5140 EUR/TRY 55.7166 EUR/JPY 175.71 EUR/CAD 1.5687 EUR/USD 1.1203 EUR/GBP 0.8377 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 90.7456 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5140 EUR/TRY 55.7166 EUR/JPY 175.71 EUR/CAD 1.5687
₿ CRYPTO
BTC $80,657 ▲ +0.35% ETH $2,356 ▲ +0.95% XRP $1.3014 ▲ +1.32% SOL $101.8700 ▲ +0.76%
S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 103.27 ▲3.82 % ARI 4,008 ▼1.29 % S&P 500 7,624 ▼0.52 % DOW 52,215 ▼1.23 % NASDAQ 25,955 ▼0.21 % NAFTA 103.27 ▲3.82 % ARI 4,008 ▼1.29 %
EUR/USD 1.1203 EUR/GBP 0.8377 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 90.7456 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5140 EUR/TRY 55.7166 EUR/JPY 175.71 EUR/CAD 1.5687 EUR/USD 1.1203 EUR/GBP 0.8377 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 90.7456 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5140 EUR/TRY 55.7166 EUR/JPY 175.71 EUR/CAD 1.5687
25 Tet 2026
Breaking
Opinion

Etja për një viktimë

Nga Mero Baze

Përpjekjet për të shpëtuar syrin e djalit të plagosur në protestat antiqeveritare në Tiranë tregojnë, më shumë sesa dashurinë për atë djalë të viktimizuar, etjen për një viktimë në protestë.

Nuk e di çfarë i shtyn të mendojnë se Edi Rama e do të vdekur apo pa sy atë djalë, të cilit i rrezikohet seriozisht shikimi pas përballjes me policinë. Akoma më pak kuptoj përse mendojnë se qeveria mund të mos i paguajë shpenzimet e kurimit të tij në Itali.

Problemi i përballjes së policisë me dhunën e protestuesve është problem policor dhe menaxhohet me manuale policie, jo me emocionet e urrejtjes së turmës ndaj qeverisë.

Qeveria është e interesuara e parë që të mos ketë asnjë viktimë. Madje e gjithë beteja kundër saj është përqendruar te kjo pikë, që ajo të shkaktojë një viktimë.

Etja me të cilën sot protestuesit përpiqen të heroizojnë syrin e rrezikuar të djalit nga Elbasani dhe, akoma më shumë, të prodhojnë lajme të rreme për mungesën e ndihmës financiare të qeverisë për kurimin e tij, tregon se çfarë duan në të vërtetë. Ata e duan atë djalë pa sy. Madje, larg qoftë, mundësisht edhe me jetën e humbur, që të kenë më në fund heroin e tyre.

Dhe ky është kanibalizëm.

Qeveria e ka për detyrë të paguajë edhe për atë që djegin protestuesit, edhe për kurimin e protestuesve, pasi është qeveria e të gjithëve.

Nuk jemi më më 21 janar, kur në vend të plumbave të gomës u përdor kallashnikovi dhe pastaj, në mesnatë, Berisha u dërgonte bodigardët me thasë me lekë familjeve të të vrarëve.

Qeveria po mbrohet me mjetet legjitime që ka dhe po merr përsipër edhe dëmet e shkaktuara nga kapuçonët e zinj kundër Tiranës, edhe dëmet që ata vetë pësojnë nga përballja me policinë. Nuk ka rrugë tjetër, sidomos për ata që po keqpërdoren.

E gjithë dhuna buron nga filozofia e Sali Berishës për t’u barazuar në histori me Edi Ramën. Ai kërkon që të ketë të paktën katër të vrarë në këto protesta. Kaq është ëndrra e tij dhe pastaj vdes i qetë.

Por, po ta shikosh nga ana tjetër, fakti që ai, si përgjegjës për katër vrasje, nuk ka shkuar asnjë ditë të pyetet për atë që ka bërë, është edhe më trishtues.

Këta që i kërkojnë llogari Edi Ramës nëse ua ka paguar apo jo shpenzimet e kurimit të syrit të riut të plagosur janë po ata që më 21 janar mbushën ekranet duke mbrojtur vrasjet. Madje shpikën edhe skenën e një burri me çadër-pistoletë, që vrau Ziver Veizin dhe iku me vrap.

Hapni pamjet në YouTube, merrni emisionin “Opinion” të mbrëmjeve të 21 dhe 22 janarit dhe shikoni të njëjtët avokatë që mbronin vrasjet e Sali Berishës, se si sot janë alarmuar nga frika se mos Edi Rama nuk i paguan shpenzimet e kurimit të syrit të djalit të plagosur.

Kjo tregon se ata nuk kanë asnjë dhembshuri për atë djalë. Thellë-thellë urojnë më të keqen për të. Atyre nuk u duhet syri i tij, por viktimizimi i tij dhe gjetja e një dëshmori kundër Edi Ramës.

Etja për një viktimë duket se ua ka errësuar logjikën dhe sytë e tyre të paplagosur, me shpresën se në ditët në vazhdim dikush ndoshta do të vritet dhe ata do ta shlyejnë turpin për atë që mbrojtën më 21 janar, kur qeveria vriste në mes të bulevardit me armë zjarri.

Atë ditë në Tiranë nuk u thye asnjë xham banke, asnjë biznes dhe asnjë institucion shtetëror, përveç asaj që shpiku Sali Berisha, se ishte thyer rregullorja e bulevardit.

Është e qartë se ka etje për një viktimë dhe Zoti mos e dhëntë.

Por, para se të kërkoni viktimën, caktoni një herë në emër të kujt duhet të vdesë ai djalë apo ajo vajzë që kërkoni të vdekur: në emër të Sali Berishës, në emër të Arlind Qorrit, në emër të hoxhallarëve antisemitë apo në emër të Agron Shehajt?

Pas kësaj, të paktën, do ta dimë përse ka vdekur.

Shqipëria nuk ka më nevojë për gjak. Sot shikon më shumë gjak në sytë e atyre që kërkojnë gjak nëpër ekrane, sesa në syrin e djalit fatkeq nga Elbasani që po mjekohet në Itali.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.