FOKUS – Hormuzi mbetet pengesë në negociatat SHBA-Iran pas refuzimit të Trump
– Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar propozimin e Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për t’i dhënë fund luftimeve në rajon, raportoi “Reuters”.
Propozimi iranian, i paraqitur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe i përcjellë SHBA-së përmes ndërmjetësve nga Katari, parashikonte rihapjen e ngushticës brenda shtatë ditësh dhe rifillimin e negociatave më të gjera, përfshirë çështjen bërthamore.
Në këmbim, Irani kërkonte që SHBA-ja të lehtësonte presionin ushtarak, të hiqte bllokadën detare ndaj porteve iraniane, të lejonte lirimin e disa aseteve iraniane të ngrira dhe të lehtësonte sanksionet ndaj eksporteve të naftës.
Trump e ka refuzuar propozimin dhe tha se iranianët po kërkonin një marrëveshje për ta hapur Hormuzin “menjëherë”, sepse, sipas tij, ndodheshin nën presion.
Megjithatë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha dje se Teherani kishte dëgjuar reagimin publik të Trump, por ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare dhe përfundimtare të SHBA-së, përmes ndërmjetësve.
Sipas tij, Irani do të vendosë për hapat e mëtejshëm pasi të marrë këtë përgjigje.
Araghchi përsëriti se çdo hap për rihapjen e ngushticës mbetet i kushtëzuar nga plotësimi i kërkesave të Iranit, ndërsa tha se Teherani vazhdon të mbështesë një zgjidhje të negociuar.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët kryesore detare për transportin e naftës dhe gazit dhe konflikti në rajon ka shkaktuar ndërprerje të ndjeshme të qarkullimit të anijeve dhe të flukseve të energjisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.