FOKUS – Irani: Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet brenda 48 orësh nëse SHBA-ja pranon kushtet e Teheranit
– Irani deklaroi sot se është i gatshëm të rihapë Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranojnë kushtet e vendosura nga Teherani, në një kohë kur po vijojnë përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet mes dy vendeve, sipas “Euronews”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se propozimi fillestar për rihapjen e ngushticës parashikonte një afat prej shtatë ditësh, por tashmë ky proces mund të përfundojë brenda dy ditësh.
“Mundësia e zbatimit të këtij plani brenda dy ditësh është një tjetër tregues i qasjes sonë me vullnet të mirë”, deklaroi Baghaei gjatë një konference për shtyp në Teheran.
Ai theksoi se gjithçka varet nga gatishmëria e Uashingtonit për të pranuar kërkesat iraniane.
“Nëse kërkesat tona plotësohen, do të jetë e mundur të rikthehet siguria në Ngushticën e Hormuzit dhe të rifillojë procesi i negociatave brenda një kohe të shkurtër”, shtoi ai.
Sipas zyrtarit iranian, mes Teheranit dhe Uashingtonit po shkëmbehen mesazhe përmes ndërmjetësve, ndërsa pala iraniane pret një përgjigje nga SHBA-ja.
Kushtet e Iranit për rihapjen e ngushticës
Kërkesat kryesore të Teheranit ndaj Uashingtonit përfshijnë:
Përfundimin e luftës në të gjitha frontet në Lindjen e Mesme; heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane; ngrirjen e sanksioneve ndaj sektorit të naftës iraniane dhe kthimin e aseteve financiare iraniane të bllokuara jashtë vendit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka paraqitur edhe kërkesa të tjera, mes të cilave njohjen e një marrëveshjeje të re mes Iranit dhe Omanit, për kalimin e anijeve nëpër ngushticë, si dhe reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në rajon.
Sipas propozimit të Teheranit, anijet që do të kalojnë nëpër këtë rrugë detare, do të duhet të ndjekin një itinerar të përcaktuar në marrëveshje me Omanin dhe të lëvizin nën mbikëqyrjen iraniane.
Katari ndërmjetëson bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit
Përpjekjet diplomatike po zhvillohen përmes ndërmjetësimit të Katarit. Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, udhëtoi drejt Dohas të hënën për të ndihmuar në përgatitjen e një marrëveshjeje paraprake.
Ndërkohë, zëdhënësi Baghaei deklaroi se shkëmbimi i mesazheve mes dy palëve vazhdon, por theksoi se Irani nuk do të rihapë ngushticën pa plotësimin e kërkesave të tij.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se bisedimet me Iranin po ecin mirë, por nuk ka dhënë asnjë sinjal se Uashingtoni ka pranuar kushtet e Teheranit.
Rëndësia strategjike e Ngushticës së Hormuzit
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit natyror. Ajo lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe më tej me Detin Arabik.
Konflikti mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, i nisur në fund të shkurtit 2026, ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të transportit detar në këtë zonë, duke ndikuar në furnizimin global me energji dhe duke rritur pasigurinë në tregjet ndërkombëtare.
Propozimi i fundit iranian shihet si një përpjekje për të përshpejtuar negociatat, por deri tani nuk ka një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.