FOKUS – Netanyahu: Franca i është dorëzuar pushtimit të Islamit ekstremist
PARIS, 20 tetor /ATSH-AFP/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pohoi sot në mbrëmje se Franca, e goditur nga dhuna dhe plaçkitjet gjatë fundjavës, i ishte dorëzuar pushtimit të Islamit ekstremist.
Në një intervistë në kanalin në gjuhën frënge i24News, ai tha se ”ata nuk u përgatitën me kohë, ata thjesht hoqën dorë, ata u dorëzuan ndaj pushtimit të Islamit ekstremist”.
“Luftoni, mos luani kartën e paqes, luftoni ekstremistët”, tha Netanyahu në përgjigje të një gazetari që e pyeti se çfarë këshille do t’i jepte Francës.
Udhëheqësi izraelit pohoi se e kishte paralajmëruar presidentin francez, Emmanuel Macron pas sulmit të 7 tetorit 2023 të kryer nga Hamasi kundër Izraelit se “nëse nuk i eliminojmë këtu, do t’i keni në Paris”.
“Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh”, tha Netanyahu.
Vërejtjet e Netanyahut i bëjnë jehonë atyre që bëhen rregullisht nga politikanët perëndimorë dhe komentatorët e ekstremit të djathtë, të cilët pretendojnë pa bazë se rajone të caktuara të Evropës i nënshtrohen ligjit islamik për shkak të popullatave imigrante që jetojnë atje duke nxitur akuza për islamofobi.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump bëri vërejtje të ngjashme, duke pretenduar se Franca po “sulmohej, plaçkiste dhe digjej nga migrantët, xhihadistët dhe komunistët”.
Të shtunën, pas një mobilizimi mbarëkombëtar për fuqinë blerëse, shumë qytete franceze u tronditën nga plaçkitjet dhe trazirat.
Kjo dhunë çoi në afërsisht 2 400 arrestime dhe një mijë oficerë policie dhe xhandarë u plagosën, sipas autoriteteve.
Marrëdhëniet midis Francës dhe Izraelit janë përkeqësuar që kur Parisi njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës në shtator 2025.
Kryeministri izraelit më pas akuzoi Emmanuel Macronin për “nxitje të flakëve të antisemitizmit” në Francë./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.