FOKUS – Netanyahu urdhëron mbylljen e Bregut Perëndimor pas vrasjes së dy personave nga ushtria izraelite
– Zyrtarët izraelitë njoftuan sot se ushtarët izraelitë qëlluan për vdekje dy burra sot në mëngjes, të cilët, kishin kryer një sulm pranë qytetit të Hebronit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, raportoi AP.
Nga incidenti mbetën të plagosur të paktën pesë persona, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Disa orë më vonë, Izraeli urdhëroi ushtrinë të përgatitej për mbylljen e plotë të Bregut Perëndimor.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu bëri të ditur se u kishte kërkuar forcave të sigurisë, të rrethonin menjëherë qytetin e Hebronit dhe të përgatiteshin për të kufizuar plotësisht, lëvizjen në të gjithë Bregun Perëndimor, duke nisur nga sot.
Më herët, ushtria izraelite deklaroi se kishte parandaluar një “sulm terrorist kundër civilëve izraelitë”.
Sipas saj, personat e armatosur mbanin një pushkë të tipit M16 dhe një pistoletë.
Ushtria nuk dha hollësi se ku synohej të kryhej sulmi.
Gjithashtu, nuk u bënë të ditura identitetet e dy personave të vrarë dhe të të plagosurve.
Pas incidentit, ushtria vendosi postblloqe dhe kufizoi lëvizjen në disa qytete dhe zona palestineze përreth.
Ekipet e emergjencës njoftuan se pesë persona ishin plagosur dhe se disa prej tyre ndodheshin në gjendje të rëndë.
Të plagosurit po transportoheshin drejt spitaleve në Izrael.
Sipas deklaratës së ekipeve të emergjencës, kur ato mbërritën në vendngjarje, pranë kryqëzimit Yehuda, sot në mëngjes, të shtënat me armë vazhdonin ende.
Dy burra rreth të 20-ave kishin plagë nga armët e zjarrit në pjesën e poshtme të këmbëve.
Njëri prej tyre ishte pa ndjenja dhe në gjendje të rëndë, sipas ekipeve të shpëtimit.
“Mbërritëm në një situatë të vështirë, ndërsa në zonë vazhdonin të shtënat”, tha Tzuriel Edri, pjesë e ekipit të emergjencës.
Autoritetet bënë të ditur se kishte nisur hetimi për zbardhjen e ngjarjes.
Sulmi ndodhi pak ditë para zgjedhjeve në Izrael
Ngjarja e përgjakshme ndodhi pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare në Izrael, të cilat do të mbahen të martën e ardhshme.
Votuesit do të vendosin nëse Benjamin Netanyahu do të marrë një mandat tjetër si kryeministër apo nëse vendi do të hyjë në një periudhë të re politike.
Zgjedhjet mbahen tre vjet pas sulmeve të udhëhequra nga Hamasi kundër Izraelit, më 7 tetor 2023, të cilat shkaktuan luftën në Rripin e Gazës.
Qeveria izraelite ka paralajmëruar për mundësinë e sulmeve nga ato që i cilëson si “armiqtë” e vendit, në ditët para zgjedhjeve.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i njohur për qëndrimet e tij të ekstremit të djathtë, tha se sulmi në Hebron tregon se Izraeli duhet të kufizojë më tej lirinë e lëvizjes së palestinezëve në Bregun Perëndimor.
“Jeta e banorëve të Judesë dhe Samarisë, e kolonëve, e ushtarëve, e policëve dhe e luftëtarëve tanë është një milion herë më e rëndësishme se liria e lëvizjes”, deklaroi Ben-Gvir.
Me emërtimin “Judea dhe Samaria”, ai iu referua Bregut Perëndimor, duke përdorur terminologjinë që përdor Izraeli për këtë territor.
Përpara përvjetorit të sulmit të 7 tetorit 2023, Netanyahu kishte deklaruar se Hamasi mund të ndërmerrte një sulm kundër Izraelit, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Megjithatë, ai nuk paraqiti prova për të mbështetur këtë pretendim. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.