FOKUS – Trump uron Putinin për ditëlindje gjatë një bisede telefonike
MOSKË, 10 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe bashkëshortja e tij, Melania, i kanë përcjellë urimet presidentit rus, Vladimir Putin, me rastin e ditëlindjes së tij, njoftoi Kremlini.
Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar dje, Trump i uroi Putinit suksese dhe shëndet.
Ai gjithashtu i përcolli urimet e bashkëshortes së tij, Melania, bëri të ditur Yuri Ushakov, këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS. Putini e falënderoi Trump për urimet.
Sipas Ushakovit, telefonata shkoi mirë. Kremlini bëri të ditur se kjo ishte biseda e gjashtë telefonike mes dy presidentëve këtë vit.
Ushakov tha se as Putini dhe as Trump nuk dëshironin të ishin të parët që ta mbyllnin telefonatën.
Pas bisedës së fundit me Putinin, Trump njoftoi një marrëveshje sipas së cilës më shumë se 300 mijë tonë naftë (diesel) do të vihej menjëherë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tregut botëror.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e kritikoi ashpër këtë marrëveshje.
Ai tha se ajo përbënte një investim në luftën kundër Ukrainës, ndërkohë që lufta duhet të përfundojë dhe jo të zgjatet.
Sipas Ushakov, Putini dhe Trump diskutuan gjithashtu për luftën në Ukrainë.
Putini bëri të qartë se qëndrimi i Rusisë për objektivat e asaj që Moska e quan “operacioni i posaçëm ushtarak” mbetet i pandryshuar.
Me këtë shprehje, autoritetet ruse i referohen luftës së zhvilluar kundër Ukrainës.
Ushakov shtoi se Putini e vlerësoi gatishmërinë e Trump dhe të ekipit të tij, për të vazhduar dialogun me Rusinë, dhe për të mbajtur të hapura bisedimet mes dy vendeve.
Dy presidentët mund të takohen në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të zhvillohet në Kinë në mesin e nëntorit.
Megjithatë, ende nuk është caktuar një datë për takimin.
Rusia po zhvillon një luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022.
Prej disa muajsh, Uashingtoni po ushtron presion mbi të dyja palët, që të arrijnë një marrëveshje paqeje.
Të mërkurën, në ditën kur Putini mbushi 74 vjeç, Rusia ndërmori sulme veçanërisht të rënda kundër Ukrainës.
Sipas autoriteteve ukrainase, nga këto sulme humbën jetën të paktën 25 persona. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.