Forcat amerikane largohen nga bazat e fundit në Irak: Teherani e feston si fitore, ekspertët paralajmërojnë vakuum sigurie
Tërheqja, e rënë dakord në vitin 2024, vjen në mes të luftës me Iranin; 23 vjet pas rrëzimit të Sadam Huseinit, aleatët e Iranit e quajnë largimin "faqe të zezë" të mbyllur.
Forcat amerikane po tërhiqen të mërkurën nga bazat e fundit në Irak, duke ngritur frikën se largimi do të lërë pas një vakuum sigurie, do të inkurajojë më tej milicitë e mbështetura nga Irani dhe do t’i japë mundësi grupit Shteti Islamik që po ringrihet të riorganizohet, siç njofton Reuters.
Largimi, i festuar si fitore nga Teherani dhe aleatët e tij, ishte rënë dakord në vitin 2024 dhe u zbatua nga administrata e presidentit amerikan, edhe pse Shtetet e Bashkuara janë në luftë me Iranin, i cili ushtron ndikim në Irak përmes forcave ndërmjetëse.
Ai vjen 23 vjet pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-të rrëzuan diktatorin Sadam Husein, duke shkaktuar trazira dhe kaos që kulmuan me ngritjen e Shtetit Islamik. Edhe pse largimi i forcave amerikane është gjerësisht i popullarizuar mes irakianëve, disa druajnë se forcat e sigurisë të trajnuara dhe të financuara nga Shtetet e Bashkuara ende nuk mund ta mbrojnë vendin, ku kanë humbur jetën 4.500 forca amerikane në më shumë se 20 vjet luftë.
Irani, i cili thotë se qëllimi i tij përfundimtar është t’i detrojë forcat amerikane të largohen nga i gjithë Lindja e Mesme, e paraqet tërheqjen amerikane nga Iraku si një triumf të “boshtit të rezistencës” së grupeve të armatosura aleate në rajon. Zyrtarë irakianë të sigurisë paralajmërojnë gjithashtu se largimi rrezikon t’i japë jetë të re luftëtarëve të Shtetit Islamik, të cilët, pavarësisht shkatërrimit të vetëquajturit kalifat gati një dekadë më parë, ruajnë një rrjet celulash të fjetura.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.