Franca në flakë, Britania përballë së njëjtës krizë, pse Londra mund t’i shmangë trazirat?
Protestat e dhunshme që kanë përfshirë Francën po ngrenë shqetësime edhe në Britaninë e Madhe. Të dy vendet përballen me vështirësi ekonomike, borxhe në rritje dhe pakënaqësi ndaj klasës politike. Por, siç argumenton historiani Robert Tombs në një analizë për The Telegraph, traditat institucionale, kultura politike dhe problemet e ndryshme shoqërore mund të përcaktojnë nëse kriza do të shprehet përmes votës apo dhunës në rrugë.
Franca po përjeton disa nga trazirat më të rënda të viteve të fundit. Pamjet e zjarreve, përplasjeve me policinë dhe protestave masive kanë rikthyer në Britani një pyetje që deri vonë dukej e largët: a mund të përhapet e njëjta valë pakënaqësie edhe përtej Kanalit të La Manshit?
Britanikët dhe francezët e kanë konsideruar historikisht njëri-tjetrin shumë të ndryshëm, megjithëse ndajnë më tepër karakteristika sesa pranojnë. Të dy popujt janë kritikë ndaj autoritetit, individualistë dhe shpesh të pakënaqur me udhëheqësit e tyre. Sot, ngjashmëritë janë bërë edhe më të dukshme për shkak të krizave ekonomike dhe politike.
Të dy vendet përballen me rritje të dobët ekonomike, presion mbi financat publike dhe një kulturë politike që nxit kërkesa gjithnjë e më të mëdha ndaj shtetit. Për vite me radhë, qeveritë kanë shtyrë vendimet e vështira përmes huamarrjes, mungesës së investimeve dhe, në rastin britanik, shitjes së aseteve publike. Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë të premtojnë më shumë shpenzime, edhe kur rreziku i një krize financiare bëhet gjithnjë e më serioz.
Megjithatë, historia ka krijuar dy mënyra të ndryshme të reagimit ndaj krizave.
Në Francë, dhuna revolucionare është pjesë e kujtesës kombëtare. Festa Kombëtare përkujton sulmin ndaj Bastijës, ndërsa përplasjet mes së majtës dhe së djathtës kanë shoqëruar historinë moderne të vendit. Që prej vitit 1789, Franca ka kaluar nëpër tri monarki, dy perandori dhe pesë republika, secila me kushtetutën dhe modelin e vet qeverisës. Sot diskutohet madje krijimi i një Republike të Gjashtë.
Britania ka ndërtuar një traditë tjetër. Ndryshimet politike janë realizuar kryesisht përmes reformave, kompromisit dhe institucioneve parlamentare. Në vend të barrikadave, zemërimi ndaj qeverisë është shprehur zakonisht përmes votës, duke mundësuar kalimin e pushtetit nga një forcë politike te tjetra.
Por kjo traditë po vihet në provë.
Edhe Britania përballet me fragmentim politik, tensione kushtetuese dhe një qeveri laburiste që kritikohet për mënyrën e trajtimit të reformave demokratike. Në Francë, dobësimi i qendrës politike dhe polarizimi mes së majtës dhe së djathtës kanë krijuar një situatë paralize institucionale. Një skenar i ngjashëm nuk përjashtohet as në Londër, ku përçarja e së djathtës dhe paqëndrueshmëria e së majtës mund ta vështirësojnë qeverisjen.
Dallimi qëndron te mënyra se si shoqëritë pranojnë vendimet e vështira.
Pas krizës financiare të viteve 2007–2008, Britania arriti të rriste moshën e pensionit pa protesta të mëdha. Në Francë, reforma të ngjashme kanë shkaktuar kundërshtime të forta dhe përplasje të dhunshme. Tregu britanik i punës mbetet gjithashtu më fleksibël, ndërsa papunësia te të rinjtë është më e ulët.
Megjithatë, problemi më i thellë francez lidhet me periferitë urbane, të njohura si banlieues, të cilat nuk kanë një ekuivalent të drejtpërdrejtë në Britani.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Franca ndërtoi zona të mëdha banimi rreth qyteteve, duke synuar përmirësimin e kushteve të jetesës. Por disa prej tyre u përballën gradualisht me papunësi, izolim shoqëror, kriminalitet dhe dhunë. Në zona të caktuara, tensionet janë aq të forta sa edhe ndërhyrja e policisë paraqet vështirësi.
Ky fenomen nuk është i ri dhe nuk mund të shpjegohet thjesht me emigracionin e kohëve të fundit. Filmi francez La Haine, i realizuar më shumë se 30 vjet më parë, portretizonte pikërisht tensionet mes të rinjve të periferive, policisë dhe institucioneve.
Herë pas here, konfliktet e këtyre zonave zhvendosen drejt qendrave urbane. Djegia e automjeteve pas festimeve sportive, tubimeve apo natës së Vitit të Ri është kthyer në një fenomen të përsëritur, ndërsa policia franceze, pavarësisht numrit dhe kapaciteteve të saj, nuk arrin gjithmonë të kontrollojë situatën.
Për këtë arsye, dhuna aktuale nuk mund të shpjegohet vetëm me pakënaqësinë ndaj sistemit arsimor apo rritjes së kostos së jetesës. Këto mund të jenë shkaktarë të menjëhershëm të protestave, por tensionet burojnë edhe nga probleme shumë më të vjetra të përjashtimit shoqëror, pabarazisë dhe mosbesimit ndaj institucioneve.
Franca dhe Britania përballen me presione të ngjashme ekonomike dhe politike, por jo me të njëjtat kushte shoqërore dhe tradita institucionale. Kjo nuk do të thotë se Britania është e mbrojtur nga trazirat, as se Franca është e dënuar të përjetojë vazhdimisht dhunë.
Dallimi thelbësor është se një krizë ekonomike nuk shndërrohet automatikisht në krizë të rendit publik. Mënyra se si institucionet marrin vendime, si qytetarët reagojnë ndaj reformave dhe sa të thella janë ndarjet shoqërore përcaktojnë nëse pakënaqësia kanalizohet përmes politikës apo shpërthen në rrugë.
Dhe pikërisht këtu qëndron argumenti kryesor: Britania mund të përballet me të njëjtat vështirësi si Franca, pa qenë e detyruar të përjetojë të njëjtën dhunë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.