GAZA – Tragjedi nga përmbytjet, humbin jetën një nënë dhe tre fëmijët e saj
– Shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet kanë shkaktuar një tjetër tragjedi në Rripin e Gazës, ku shembja e një argjinature prej rëre dhe shkëmbinjsh mbi çadrat e familjeve të zhvendosura, ka marrë jetën e një gruaje dhe tre fëmijëve të saj, sipas “Reuters”.
Ngjarja ndodhi në jug të Deir al-Balahut, në Gazën qendrore.
Sipas autoriteteve shëndetësore, viktimat janë një grua dhe tre fëmijë të moshës 4, 6 dhe 8 vjeç. Gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur.
Shirat e dendura bënë që një masiv rëre dhe shkëmbinjsh, pranë një kampi ku strehoheshin familjet e zhvendosura, të shembej mbi tendat ku njerëzit po flinin.
Banorët u përpoqën të nxirrnin të mbijetuarit dhe viktimat nga rrënojat, duke përdorur lopata dhe mjete të tjera për të larguar rërën dhe gurët.
Një dëshmitar e përshkroi shembjen si një shpërthim të fuqishëm. Sipas tij, tri tenda u mbuluan plotësisht nga masa e rërës dhe njerëzit mbetën të bllokuar poshtë saj.
Tragjedia ndodhi në një moment kur mijëra familje palestineze, po përballen me pasojat e reshjeve të dendura, përmbytjeve dhe mungesës së strehimit të sigurt, ndërsa sezoni i dimrit ka nisur.
Sipas autoriteteve lokale, të paktën 70,000 tenda u përmbytën në orët e para të reshjeve.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) bëri të ditur se më shumë se 26 000 familje kishin pësuar dëme në strehimet e tyre.
Sipas raportit të OCHA-s, shirat dhe erërat e forta shkaktuan përmbytje në të gjithë Rripin e Gazës, dëmtuan tendat, ndërtesat e dëmtuara më parë nga luftimet, objektet humanitare dhe shërbimet bazë. Në disa zona, niveli i ujit arriti deri në 1,5 metra.
Agjencia vlerëson se rreth 1,4 milionë palestinezë, ose 65% e popullsisë së Gazës, jetojnë në tenda apo strehime të improvizuara.
Më shumë se 6,000 strehime familjare janë shkatërruar nga reshjet, ndërsa rreth 17,400 të tjera kanë pësuar dëmtime.
UNICEF paralajmëroi se rreth 950 000 persona të zhvendosur jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet.
Prej tyre, rreth 400 000 ndodhen në zona me rrezik veçanërisht të lartë, pothuajse gjysma fëmijë.
Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, tha se tre fëmijët dhe nëna e tyre humbën jetën sepse nuk kishin një vend të sigurt ku të flinin.
Organizata vuri në dukje se rreth 1,7 milionë persona të zhvendosur vazhdojnë të jetojnë në tenda, strehime të improvizuara ose ndërtesa të dëmtuara, të ekspozuar ndaj të ftohtit, përmbytjeve dhe rrezikut të shembjes.
Situatën e rëndon edhe dëmtimi i infrastrukturës së ujërave të zeza dhe kanalizimeve.
Sipas UNICEF-it, asnjë impiant për trajtimin e ujërave të ndotura në Gaza nuk është aktualisht funksional.
Në qytetin e Gazës, përzierja e ujërave të shiut me ujërat e zeza, rrezikon të shkaktojë tejmbushjen e basenit të ujërave atmosferike “Sheikh Radwan”, ku funksionojnë vetëm dy nga gjashtë pompat.
Ndërkohë, OCHA thekson se rezervat humanitare të tendave, mbulesave plastike, batanijeve dhe veshjeve brenda Gazës janë pothuajse shteruar.
Mbi 150,000 tenda të siguruara nga organizatat humanitare dhe shtetet donatore ndodhen jashtë territorit dhe presin të lejohen të hyjnë.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Basal, tha se tendat nuk mund t’i mbrojnë njerëzit nga reshjet dhe temperaturat e larta, duke theksuar se zgjidhja e vetme afatgjatë është rindërtimi. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.