UKRAINË – Zelensky: Do të vijojmë kundërpërgjigjen ndaj Rusisë, avionët dhe anijet që transportojnë armë janë objektiva legjitime
KIEV, 25 nëntor /ATSH-Ukrinform/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Ukraina do të vazhdojë sulmet ndaj objektivave ushtarake ruse, duke theksuar se avionët luftarakë, anijet e luftës dhe mjetet detare që transportojnë armë ruse, përbëjnë objektiva legjitime për forcat ukrainase.
“Ne do të vazhdojmë të kundërpërgjigjemi. Avionët rusë, anijet luftarake ruse dhe mjetet lundruese që transportojnë armë ruse, janë objektiva plotësisht legjitime për ne”, shkroi Zelensky në një mesazh të publikuar në rrjetin social X.
Deklarata e presidentit ukrainas vjen pas një operacioni të forcave ukrainase, gjatë të cilit dronët goditën një aeroport ushtarak rus.
Zelensky falënderoi ushtarët e Forcave të Operacioneve Speciale të Ukrainës për këtë aksion, duke thënë se objektivi ishte një aeroport nga i cili ngrihen avionët rusë për të kryer sulme ndaj Ukrainës.
“Dronët tanë goditën sot një aeroport ushtarak rus, pikërisht atë nga i cili ngrihen avionët rusë për të shkatërruar jetë njerëzish në Ukrainë. Aktualisht po vlerësojmë dëmet që u janë shkaktuar rusëve këtë herë. Ne do të vazhdojmë me kundërpërgjigjet tona”, deklaroi ai.
Sipas agjencisë ukrainase të lajmeve “Ukrinform”, objektivi i goditur ishte aeroporti ushtarak “Savaskeyka” në Rusi, ku janë të stacionuar avionë MiG-31K, të aftë për të mbajtur raketa hipersonike “Kinzhal”.
Deklarata e Zelensky, vjen gjithashtu pas disa operacioneve të fundit ukrainase kundër mjeteve ushtarake dhe logjistike ruse jashtë territorit të Ukrainës.
Më 21 nëntor, një anije mallrash ruse, “Sparta II”, u godit nga një dron në Gjirin e Finlandës.
Zelensky konfirmoi përfshirjen e Ukrainës në sulm, duke argumentuar se anija ishte objektiv legjitim pasi transportonte armë.
Ndërsa më 22 nëntor, forcat ukrainase goditën ,pranë portit të Bengazit në Libi, anijen ruse “Merkury”, një helikopter ushtarak Ka-27 dhe anijen e mallrave “MV Angara”, e cila, sipas Kievit, transportonte armë.
Ukraina deklaroi se operacioni kishte në shënjestër mjete që mbështesnin logjistikën ushtarake ruse.
Kievi këmbëngul se sulmet ndaj anijeve dhe mjeteve ushtarake ruse, janë pjesë e së drejtës së Ukrainës për vetëmbrojtje ndaj agresionit rus. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.