Gjoni: Të gjithë vektorët duhet të çojnë te Edi Rama, PD mbështet protestën e studentëve
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka deklaruar se opozita mbështet protestën e studentëve dhe gjimnazistëve, duke theksuar se ajo ka nxjerrë në pah problematikat që, sipas tij, karakterizojnë qeverisjen e vendit.
I ftuar në emisionin Now me Erla Mehillin në Euronews Albania, Gjoni u shpreh se Partia Demokratike ka qenë pjesë e protestës dhe se të rinjtë përbëjnë grupin kryesor që duhet mbështetur në këtë lëvizje.
“Partia Demokratike edhe në atë moment ka qenë pjesë e protestës. Ne jemi pro mbështetjes së studentëve dhe gjimnazistëve, sepse ata janë pjesa kryesore”, deklaroi Gjoni.
Duke komentuar zhvillimet gjatë protestave, deputeti demokrat pranoi se, sipas tij, mes protestuesve mund të ketë edhe persona me interesa të ndryshme, përfshirë provokatorë. Megjithatë, ai vlerësoi se protesta ka pasur një ndikim në shoqërinë shqiptare, pasi ka nxjerrë në pah problematikat që opozita ia atribuon qeverisë.
“Ne e dimë që brenda në protestë ka njerëz të cilët janë edhe provokatorë, janë njerëz që kanë interesa të ndryshme, por në vetvete kjo protestë i bëri mirë shoqërisë shqiptare, sepse nxori në pah të gjithë negativitetin e kësaj qeverie”, u shpreh ai.
Gjoni theksoi se, në kushtet aktuale, të gjitha qëndrimet dhe energjitë politike duhet të përqendrohen te një objektiv i vetëm, duke identifikuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor politik.
“Problemi është që në këtë moment gjithë vektorët duhet të çojnë drejt një objektivi kryesor dhe objektivi kryesor në momentin aktual, dhe gjithë shqiptarët e kanë kuptuar, duan apo s’duan, është Edi Rama”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike.
Në vijim, Gjoni argumentoi se pakënaqësitë që janë shfaqur përmes protestave lidhen edhe me qëndrimet që Partia Demokratike ka mbajtur prej kohësh ndaj qeverisë. Ai përmendi korrupsionin, nivelin e varfërisë, krimin e organizuar dhe emigracionin si çështje që, sipas tij, kanë ndikuar në pakënaqësinë ndaj qeverisjes.
“Të gjitha qëndrimet kanë ardhur te qëndrimet e Partisë Demokratike në lidhje me qeverinë, në lidhje me korrupsionin, në lidhje me nivelin e varfërisë, në lidhje me krimin e organizuar, në lidhje me emigrimin”, përfundoi Gjoni.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.