Politika

Hapja e negociatave, Soreca: Do të sigurojë që Reforma në Drejtësi të jetë e pakthyeshme

 “Çelja e negociatave për anëtarësim do të ndryshojë gjithçka për Shqipërinë dhe do të sigurojë që procesi i reformës do të jetë i pakthyeshëm dhe i qëndrueshëm”, deklaroi sot ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Lugi Soreca.

Duke folur në takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor në konferencën “It’s all about Justice”, Soreca citoi Martin Luter King duke thënë se, “padrejtësia në çfarëdolloj vendi është kërcënim dhe rrezik për drejtësinë”.

“Ky është një citim i famshëm i që tregon rëndësinë e një sistemi drejtësie të pavarur. Pasi nëse një qytetari i mohohen të drejtat e tij apo nëse një kriminel arrin të kalojë drejtësinë atëherë është thyer kontrata sociale. E gjithë shoqëria vuan nga mungesa e bësimit në institucionet e drejtësisë. Pra gjithçka ka të bëjë me drejtësinë pasi një sistem funksional drejtësie është themeli i demokracisë funksionale. Gjithçka ka të bëjë me drejtësinë sepse zbatimi i ligjit krijon standardin në një vend dhe krijon frymëzim dhe për vendet e tjera”, theksoi Soreca.

“BE ka qenë dhe është krenare që ka punuar pafund për të mbështetur Shqipërinë në reformën e saj të sistemit të drejtësisë. BE ka punuar pikërisht për ato vlera të sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore”, u shpreh ai.

Soreca shtoi se, ‘reformat nuk ndodhin se i kërkojmë ne, por sepse pjesa dërrmuese e shoqërisë shqiptare i ka kërkuar ato. Janë qytetarët shqiptarë që kanë qenë të parët që kanë vuajtur nga një sistem drejtësie i cili kishte dështuar”.

Pra, nënvizoi ai, “mungesa e besimit tek drejtësia nuk është thjesht perceptim, por është kryesisht padrejtësi e hidhur që kanë parë personalisht qytetarët shqiptarë. Një pronë e vjedhur ndër vite për arsye të një gjyqtari të korruptuar. Apo një kriminel që nuk dënohet. Apo një biznes familjar që mbyllet nga kërcënimi i mafies. Dhe është pikërisht legjitimiteti i reformës në drejtësi, tek i cili kanë shpresë qytetarët shqiptarë. Dhe është pikërisht kjo që është kërkuar nga qytetarët shqiptarë. Dhe rezultatet e reformës janë pikërisht për rrjedhojë të saj”.

“Po të hedhim sytë në të shkuarën gjatë 3 viteve të fundit, atëherë mund ta shikojmë që shumë pak vende në botë kanë bërë këtë lloj transformimi apo shndërrimi të thellë. Kushtetuta e Shqipërisë u ndryshua. 40 ligje të reja u miratuan që kishin të bënin me qeverisjen e gjyqësorit. Tre institucione të reja u krijuan dhe rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar nuk janë më pjesë e drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm,  të cilët që kanë kaluar procesin e vettingut nuk do të njollosen më”, tha Soreca.

Në këtë kontekst, shtoi ai, “duhet t’i japim meritën gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e humbën busullën e integritetit. Por asnjë ndryshim themelor nuk ndodh brenda natës.  Sistemi i ri i drejtësisë është një realitet kushtetues dhe institucional, në të cilin nuk do të ketë kthim pas.  Reforma në drejtësi, është pjesë e historisë moderne të Shqipërisë”.

“Ne jemi në një kryqëzim tashmë”, tha Soreca, duke shtuar se, “pritshmëria është shumë e madhe që të kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale. Qytetarët shqiptarë po presin krijimin e BKH dhe SPAK. Por më së shumti ata presin rezultatet e punës së këtyre dy institucioneve. Për këtë arsye detyra është që mos të këtë ngadalësim në këtë rrugëtim.  Detyra kolektive është të mos ketë ngadalësim në mes të këtij rrugëtimi. BE do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë, dhe gjatë 3 viteve në vijim do të ketë burime të tjera financiare me 42 milionë euro që janë programuar për drejtësinë. dhe 34 milionë euro do t’i jepen buxhetit shqiptar në mënyrë që të ketë rezultate në sistemin e drejtësisë”.

“Jemi dy javë larg nga vendimi më i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Pa reformën në drejtësi është e qartë që Shqipëria do duhej të kishte pritur shumë vite për të ardhur në këtë ditë.  Reforma ka hedhur themele shumë të rëndësishme të fuqizimit të sektorit, të konsolidimit të pavarësisë, paanshmërisë dhe llogaridhënies.  Shqipëria është e gatshme të lëvizë në një stad tjetër. Çelja e negociatave për anëtarësim do të ndryshojë gjithçka për Shqipërinë dhe do të sigurojë që procesi i reformës do të jetë i pakthyeshëm dhe i qëndrueshëm”, deklaroi Soreca.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button