Policia ndalon një automjet në Zubin Potok, sekuestron katër armë zjarri
Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë zjarri, përfshirë një AK-47, gjatë kontrollit të një automjeti në fshatin Gazivod të Zubin Potokut. Dy persona janë arrestuar dhe intervistuar si të dyshuar, por më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur të dielën, më 1 nëntor, rreth orës 16:15, kur zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Zubin Potok ndaluan për kontroll rutinor një automjet me targa vendore.
Automjetin e drejtonte një person i lindur në vitin 1993, ndërsa pasagjer ishte një person i lindur në vitin 1973.
Gjatë kontaktit me policinë, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se posedonte armë, të cilat, sipas tij, i kishte gjetur në një thes, disa metra larg vendit ku ishte ndaluar automjeti.
Pas arrestimit të dy personave dhe kontrollit të automjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri: një të llojit AK-47 dhe tri të tjera të llojit M-48.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar edhe kontrollin në adresat e banimit të dy të dyshuarve në Mitrovicë të Jugut. Gjatë kontrolleve në këto adresa nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm.
Me udhëzim të prokurorit, të dy personat janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve. Pas intervistimit, ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti do të hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse hasin në armë apo mjete të tjera të kundërligjshme, të mos i prekin ato, por të njoftojnë autoritetet përmes numrit emergjent 192.
Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar për identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e personave të paautorizuar, me qëllim të garantimit të sigurisë së përgjithshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.