I armatosur me thikë dhe dy çekiçë, i riu shqiptar terrorizon kalimtarët në Romano di Lombardia
Një 30-vjeçar me origjinë shqiptare ka shkaktuar panik mes kalimtarëve dhe nxënësve të shkollave në qendër të qytetit Romano di Lombardia në Itali, teksa lëvizte i armatosur me një thikë dhe dy çekiçë të vjedhur.
Ngjarja ka ndodhur pranë një stacioni autobusi ku po prisnin nxënës të shkollave të mesme. Qytetarët e alarmuar njoftuan menjëherë qendrën operative të policisë bashkiake mbi praninë e një personi në gjendje të rënduar psikofizike, të dyshuar nën efektin e lëndëve narkotike, i cili po kërcënonte kalimtarët me një thikë me teh të palosshëm.
Shërbimet e policisë, nën drejtimin e komandantit Arcangelo Di Nardo, arritën të identifikonin 30-vjeçarin e njohur më parë nga forcat e rendit përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendngjarjes. Pas kërkimeve në territor, efektivët e lokalizuan atë në sheshin “Papa Giovanni XXIII”, ku mbante në secilën dorë nga një çekiç të madh.
Policia arriti t’i konfiskonte çekiçët dhe gjatë kontrollit fizik i gjeti një thikë me teh 8 centimetra si dhe një sasi prej rreth një grami lëndë narkotike të llojit kokainë. Hetimet e mëtejshme zbuluan se dy çekiçët ishin vjedhur po atë mëngjes nga furgoni i një punëtori ndërtimi që po kryente punime në zonë. Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e marra nga policia dokumentuan gjithashtu se i arrestuari kishte sulmuar dhe kërcënuar tre persona të tjerë gjatë së njëjtës ditë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.