Interpelanca me ministren e Shëndetësisë, Korreshi: Situatë alarmante në Spitalin e Lushnjës
Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka shpërthyer në Kuvend ndaj ministres së Shëndetësisë Evis Sala, gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje, ku e kishte thirrur në interpelancë për situatën në Spitalin e Lushnjës.Korreshi ngriti akuza të forta mbi gjendjen e këtij spitali, duke paraqitur edhe foto që, sipas tij, tregonin realitetin e kushteve në këtë institucion shëndetësor.
Ai paraqiti foto të asaj që e cilësoi si “mëngjesi në Spitalin e Lushnjës”, ku shfaqej një fetë buke dhe një gotë kos. Ai u shpreh se në vend të kuzhinierëve në spital punon një infermiere. Korreshi tha gjithashtu se në Spitalin e Lushnjës mungon alkooli, vigoni dhe dorezat, ndërsa me ironi shtoi se uji po përdoret në vend të alkoolit. Ai renditi edhe një sërë medikamentesh që, sipas tij, mungojnë në këtë spital.
Në përgjigje, ministrja e Shëndetësisë tha se është e rëndësishme të flitet me fakte dhe jo me narrativa. Ajo u shpreh se qeveria ka zgjedhur punën dhe investimet dhe se shëndetësia nuk duhet të përdoret për propagandë apo për kredite politike. Sipas saj, Spitali i Lushnjës ndodhet në godina të ndërtuara para vitit ’90 dhe kjo situatë infrastrukturore nuk është krijuar sot. Ajo shtoi se në përgjigje të kësaj gjendjeje kanë nisur investimet në këto godina, përfshirë ndërhyrjet në repartet kryesore dhe në maternitet, duke theksuar se ambientet spitalore po rikonstruktohen dhe se për shkak të punimeve mund të ketë vështirësi operative.
“Kjo nuk është një problematikë e krijuar sot. Është një trashëgimi shumëvjeçare, që për vite me radhë nuk mori investimet e nevojshme. Pikërisht për këtë arsye, Spitali i Lushnjës është përfshirë në programin kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore, të financuar nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Investimi ka nisur gjatë vitit 2026 dhe punimet kanë filluar zyrtarisht më 4 mars. Fondi i planifikuar për këtë vit është rreth 82 milion lekë, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar rreth 236 milion lekë të tjera. Ndërhyrja po realizohet në godinën nr. 3 të spitalit, ku funksiononin urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Paralelisht po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe shërbimet mbështetëse, me synim përmirësimin e kushteve për nënat, të porsalindurit dhe pacientët në tërësi. Ky nuk është një investim fasadë. Nuk është një lyerje muresh për fotografi propagandistike. Është një rikonstruksion i plotë infrastrukturor, që përfshin rehabilitimin e ambienteve spitalore, rikonstruksionin e rrjeteve teknike, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, rritjen e sigurisë teknike dhe modernizimin e kushteve diagnostikuese e trajtuese.Natyrisht, një ndërhyrje e këtij niveli sjell përkohësisht vështirësi operative. Por pyetja është: çfarë duhet të bënim? Të mos investonim fare? Të lëmë godinat të degradohen? Apo të mbyllnim shërbimet për qytetarët?Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por më të përgjegjshme: të investojmë duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit“, tha ajo.
Në fund, ministrja u shpreh se nuk pretendohet të zgjidhen të gjitha problemet menjëherë, por se po punohet për përmirësimin e tyre, duke shtuar se Spitali i Lushnjës nuk është një strukturë e braktisur, por një institucion ku po investohet dhe vijon shërbimi për qytetarët.
Pas kësaj, Korreshi iu përgjigj me tone të ashpra dhe e ftoi ministren të shkojë vetë në Spitalin e Lushnjës për të parë gjendjen, duke thënë se situata është e rëndë. Ndër të tjera, ai deklaroi se në disa raste pajisje si anestezia nuk kanë funksionuar për muaj të tërë, pasi sipas tij nuk ka pasur staf që t’i përdorë. Ai tha gjithashtu se në disa raste mungon frigoriferi për ruajtjen e insulinës dhe pacientët detyrohen ta blejnë vetë.
Korreshi ngriti shqetësime edhe për mungesën e shërbimeve emergjente dhe pajisjeve, duke përmendur raste të ambulancave të shpërndara në qytete të tjera dhe situata të rënda për pacientët. Ai tha se problemet me minjtë në spital përbëjnë rrezik infeksionesh dhe akuzoi për kushte të papranueshme në disa reparte. Sipas tij, disa pajisje mjekësore nuk janë vënë në funksion prej vitesh dhe pacientët detyrohen të kërkojnë shërbime jashtë Lushnjës, përfshirë edhe për dializë në qytete të tjera. Ai e përmbylli duke theksuar se problemet në spitale prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente.
“Nuk ju vjen turp ju. Edhe synetlliqet janë rralluar nuk merren përsipër. 6 muaj nuk punoi ajo e anestezisë. Prej 57 ditësh në Lushnje ke një pacient , nuk ka frigorifer për të mbajtur insulinën, sepse ka skaduar 20 herë. Shkon e blen vetë ai. Kujt ja tregoni revistat televizive nuk keni turp. Në Lushnje të hanë minjtë , është batërdi, ka rënë çdo mur. Si shikoheni në pasqyrë. Keni të bënë me jetë njerëzish…52 lushnjarë ikin jashtë Lushnjes për të marrë dializë, nuk keni turp…harram lekët e shqiptarëve, se nuk punon pajisja e ujit për të freskuar ujin. A paguajnë taksa këta, përse të shkojnë te privati?”, tha ai, duke shtuar: “Kam pasur një humbje të madhe, për një eko vdiq. 38 vjeç, po të ishte konstatuar do kishte shpëtuar… kur mora 127 u përgjigj Tirana…Duhet të marr unë Tiranën, Lushnja mua…”, tha ai.
Në kundërpërgjigje, ministrja sqaroi se shërbimi i dializës ofrohet në spitalet rajonale, ndërsa theksoi se në Spitalin e Lushnjës janë funksionale aparaturat kryesore dhe baza për diagnostikim modern. Ajo shtoi se janë parashikuar edhe investime të tjera për pajisje dhe përmirësimin e infrastrukturës spitalore.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.