Itali, alarm për bomba në tre avionë, dy drejt Romës dhe një i devijuar në Vjenë
– Tre avionë janë përfshirë në alarme për kërcënime me bombë në Itali, pas mbërritjes së disa mesazheve anonime në gjuhën italiane.
Sipas mediave italiane, kërcënimet kanë prekur dy fluturime me destinacion aeroportin Fiumicino të Romës, njëri nga Helsinki dhe tjetri nga Dublini. Mesazhi anonim u dërgua në orët e para të mëngjesit në adresat elektronike të kompanisë administruese të aeroportit, ADR, dhe të disa operatorëve të tjerë.
Ndërkohë, një avion Airbus A321 i kompanisë Wizz Air, i nisur në orën 07:00 nga aeroporti Malpensa i Milanos drejt Varshavës, u devijua për në Vjenë pas marrjes së një kërcënimi për bombë gjatë fluturimit.
Policia postare dhe autoritetet policore italiane kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët e mesazheve dhe për të verifikuar kërcënimet.
Në ditët e fundit, mesazhe të ngjashme në gjuhën italiane kishin paralajmëruar për praninë e mjeteve shpërthyese në dy fluturime të Ryanair drejt Romës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.