ITALI – Greva 24-orëshe paralizon transportin publik
– Greva e transportit publik në Itali, ka shkaktuar sot ndërprerje dhe vonesa në qarkullimin e mjeteve në disa zona, duke prekur autobusët, tramvajet dhe metronë në Milano, si dhe linjat e autobusëve që lidhin Venecian me aeroportet dhe qytetet përreth, sipas “Adnkronos”.
Në Milano, protesta përfshin punonjësit e kompanisë së transportit ATM dhe prek shërbimet e autobusëve, tramvajeve dhe metrosë në qytet, si dhe në zonat e Monzës dhe Brianzas.
Greva është shpallur nga sindikatat “AL Cobas” dhe “Confial Trasporti” dhe zgjat 24 orë.
Transporti funksionon në oraret e garantuara, nga fillimi i shërbimit deri në orën 08:45 dhe nga ora 15:00 deri në 18:00.
Jashtë këtyre fashave mund të ketë anulime, vonesa dhe pritje më të gjata për udhëtarët.
Sindikatat kanë argumentuar se protesta lidhet me kundërshtimin ndaj liberalizimit, privatizimit dhe dhënies me tender të shërbimeve që menaxhohen nga grupi ATM.
Punonjësit kërkojnë gjithashtu përmirësimin e sigurisë në vendin e punës, kushte më të mira higjienike për mjetet, rritje page prej 150 eurosh neto, si dhe përmirësimin e organizimit të orareve dhe pushimeve.
Greva prek edhe zonën e Venecias, ku punonjësit e kompanisë ATVO, e cila administron linjat e autobusëve në pjesën lindore të rajonit Veneto, kanë ndërprerë punën për 24 orë.
Këto linja lidhin Venecian dhe Mestren me aeroportet Marco Polo dhe Treviso, si dhe me destinacione të rëndësishme turistike, përfshirë Jesolon, Caorle-n, Bibionen dhe Cortinën.
Në këtë zonë, shërbimet garantohen për autobusët që nisin udhëtimin nga ora 06:00 deri në 09:00 dhe nga ora 12:00 deri në 15:00.
Jashtë këtyre orareve nuk garantohet rregullsia e qarkullimit. Protesta mund të prekë edhe shërbimet e biletarisë.
Ndërkohë, transporti publik i administruar nga kompania ACTV në qytetin e Venecias, përfshirë vaporettot, nuk është pjesë e kësaj greve.
Edhe trenat rajonalë dhe trenat me shpejtësi të lartë në zonën e Milanos, vijojnë të qarkullojnë sipas programit normal.
Autoritetet dhe kompanitë e transportit u kanë bërë thirrje udhëtarëve, të kontrollojnë njoftimet përpara nisjes, pasi shkalla e ndërprerjeve varet nga numri i punonjësve që marrin pjesë në protestë. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.