IZRAEL – Kushner: Përparime në bisedimet për Gazën, por ende pa marrëveshje
TEL AVIV, 18 gusht /ATSH-DPA/ – I dërguari special i SHBA-së, Jared Kushner, zhvilloi bisedime në Jerusalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku palët deklaruan se kishin arritur marrëveshje për disa hapa drejt çarmatimit të Hamasit dhe zbatimit të planit amerikan për Gazën pas luftës.
Megjithatë, takimi katërorësh nuk solli ndonjë përparim të madh.
Çështje të rëndësishme mbeten të pazgjidhura dhe vazhdojnë të jenë të forta dyshimet nëse Hamasi do të pranojë përfundimisht të dorëzojë armët.
Takimi u zhvillua pasi Kushner kishte zhvilluar gjatë fundjavës bisedime të rralla me përfaqësues të Hamasit në Egjipt.
Zyra e Netanyahut i cilësoi diskutimet si “të thella dhe konstruktive” dhe njoftoi se palët kishin rënë dakord të krijonin dy grupe pune, njëri do të përqendrohet te çmilitarizimi i Gazës, ndërsa tjetri te kanalizimet, furnizimi me ujë të pijshëm dhe çështje të tjera të shëndetit publik.
Sipas Izraelit, të dyja palët ranë dakord që çmilitarizimi duhet të përfundojë përpara se të nisë çdo proces rindërtimi në Rripin e Gazës, i shkatërruar nga lufta.
Një përfaqësues i “Bord i Paqe” të presidentit amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja dhe Izraeli kishin rënë gjithashtu dakord që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të mos tërhiqen nga Gaza derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht.
“U ra dakord se nuk do të ketë ripozicionim të IDF-së jashtë Gazës derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht dhe e gjithë Gaza të jetë çmilitarizuar, çdo armë, e lehtë dhe e rëndë, si dhe çdo tunel”, tha përfaqësuesi.
Ai shtoi se Izraeli do të ruajë të drejtën e pakufizuar për vetëmbrojtje.
Kushner, i cili është dhëndri i presidentit Donald Trump, shoqërohej nga Nikolay Mladenov, një zyrtar i lartë i “Bordit të Paqes” .
Kushner diskutoi të dielën të ardhmen e Gazës me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sissi dhe përfaqësues të lartë të Hamasit në Egjipt.
Në një intervistë për “Fox News” dje, Kushner tha se takimi me Hamasin ishte zhvilluar në mënyrë miqësore dhe se përfaqësuesit e grupit kishin thënë “të gjitha gjërat e duhura”.
“Ne do t’u japim një mundësi për të treguar se çfarë bëjnë, por kjo do të duhet të bazohet në veprime dhe hapa konkretë”, tha Kushner.
Ai e cilësoi takimin me Netanyahun si “shumë, shumë të mirë” dhe tha se kryeministri izraelit kishte “shqetësime të vlefshme” lidhur me planin amerikan për Gazën, por la të kuptohej se përparimi mund të vinte shumë shpejt.
Kushner tha gjithashtu se heqja e armëve të Hamasit nga Gaza dhe mbushja e rrjetit të tuneleve të grupit mund të nisin brenda 30 deri në 90 ditëve. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.