IZRAEL – Opozita diskuton krijimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve
TEL AVIV, 29 tetor /ATSH-DPA/- Përfaqësues të opozitës në Izrael, janë takuar pas zgjedhjeve parlamentare për të diskutuar mundësinë e bashkimit dhe krijimit të një qeverie të re.
Yair Golan, kreu i partisë së majtë liberale “Demokratët”, tha se ishte takuar me Gadi Eisenkot, kundërshtarin kryesor të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Fati i Izraelit është në rrezik”, shkroi Golan në rrjetin social X pas takimit.
Ai bëri të ditur se ishte takuar edhe me Yair Lapid, ish-kreun e opozitës. Golan tha se dëshironte të provonte çdo mundësi dhe të bashkëpunonte me të gjithë partnerët e mundshëm për të formuar një qeveri.
Së fundmi, ai ka kërkuar edhe bashkëpunimin me partitë arabe, të cilat arritën rezultate të mira në zgjedhje. Megjithatë, partitë e tjera të opozitës e kanë kundërshtuar deri tani këtë ide.
Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, grupimi i partive të djathta dhe fetare që mbështesin Netanyahun, ka dalë përpara grupimit të opozitës.
Megjithatë, asnjëri prej dy grupimeve nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.
Edhe Netanyahu është takuar më herët me përfaqësuesit e partive të djathta dhe fetare që e mbështesin.
Sipas faqes së lajmeve “Ynet”, e cila citon një zyrtar të lartë të aleancës së partive ultraortodokse “Judaizmi i Bashkuar i Torës”, kjo aleancë po shqyrton mundësinë për të mbështetur Gadi Eisenkotin në përpjekjen e tij për të formuar qeverinë.
Kushti i saj është miratimi i një ligji, që do t’i përjashtonte burrat hebrenj ultraortodoksë nga shërbimi ushtarak.
Hebrenjtë ultraortodoksë kundërshtojnë shërbimin ushtarak, pjesërisht sepse bindjet e tyre fetare nuk e mbështesin shërbimin, në një ushtri ku burrat dhe gratë shërbejnë së bashku.
Megjithatë, Eisenkot, i cili i përket partisë së qendrës “Yashar”, ka deklaruar se dëshiron të krijojë një qeveri, që do të kërkojë edhe nga burrat ultraortodoksë të kryejnë shërbimin ushtarak.
Aleanca “Judaizmi i Bashkuar i Torës” tradicionalisht ka qenë pjesë e kampit politik të Netanyahut.
Ndërkohë, televizioni N12, duke cituar burime brenda kësaj aleance, raportoi se ajo mund të mbështesë një qeveri të drejtuar nga Eisenkot pa u bërë pjesë e saj.
Kjo do të thotë se aleanca mund të mos votojë kundër qeverisë së tij, por pa u bashkuar zyrtarisht me koalicionin qeverisës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.