Kalaja e Shkodrës mirëpret mbi 62 mijë vizitorë në pesë muajt e parë të 2026
Kalaja e Shkodrës ka mirëpritur mbi 62 mijë vizitorë nga janari deri në maj 2026 . Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën me dije se vetëm, në muajin maj mbi 29 mijë vizitorë vizituan kalanë. “Me lajmin e mirë se për periudhën 1 janar-31 maj kemi mirëpritur 62,748 vizitorë në Kalanë Rozafa, nga të cilët vetëm gjatë muajit maj kanë arritur shifrën 29,475 vizitorë”, thuhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër. Por kalaja e Shkodrës po hyn një fazë të re zhvillimi përmes një projekti rijetëzimi.
Projekti i rijetëzimit në këtë kala, që është një investim europian do të përmirësojë edhe infrastrukturën, duke ruajtur vlerat arkitektonike dhe historike të kalasë, ku pritet të transformojë këtë vend ikonë të qytetit në një destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj. Siç është bërë e dije më parë është një investim i mbështetur nga BERZH dhe Bashkimi Europian me implementues FSHZH. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga jug-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës.
Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore.
Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.