Kalemaj në “3D“: Rama e ka mbyllur ciklin politik. Nuk na erdhi asnjë lajm i tij nga Nju Jorku
Analisti Ilir Kalemaj, i ftuar në emisionin “3D” të gazetarit Alban Dudushi në RTSH, deklaroi se Kryeministri Edi Rama ka mbyllur ciklin e tij politik pas 26 vitesh prani të pandërprerë në pozicionet më të larta të pushtetit. Sipas Kalemajt, pritshmëritë për rezultate apo takime të nivelit të lartë gjatë qëndrimit të tij në Nju-Jork nuk u përmbushën, duke mbetur kryesisht në kuadrin e takimeve me diasporën shqiptare.
Gjatë analizës së tij, Kalemaj e krahasoi situatën me zhvillimet historike në SHBA, duke përmendur dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon pas skandalit Watergate, ku pavarësisht arritjeve në politikën e jashtme, konsumimi politik erdhi si pasojë e ngjarjeve të brendshme dhe veprimeve të bashkëpunëtorëve.
Në fjalën e tij, analisti nënvizoi ndryshimin mes agjendës diplomatike të Shqipërisë dhe krerëve të tjerë të rajonit gjatë qëndrimit në SHBA. Ai solli në vëmendje takimet e zhvilluara nga udhëheqës si Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve partnere.
“Në një javë takimesh, bëri takim vetëm me mërgatën shqiptare në New York, Detroit dhe gjetkë, dhe nuk pamë të takonte askënd tjetër,” theksoi Kalemaj gjatë diskutimit në studio.
Më tej, ai u ndal te çështjet e sigurisë kombëtare dhe procesi i integrimit evropian, duke u shprehur se nismat politike dhe retorika e përdorur për opinionin ndërkombëtar nuk po sjellin më rezultatet e dëshiruara përballë kërkesave të Bashkimit Evropian për reforma të thella.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.