Kostoja e luftës së SHBA-së me Iranin kalon 47 miliardë dollarë, tregojnë të dhënat e Pentagonit
Ushtria amerikane ka shpenzuar deri tani mbi 47 miliardë dollarë për luftën ndaj Iranit, një shifër mbi 25 për qind më e lartë se vlerësimi i Departamentit të Mbrojtjes në korrik, sipas të dhënave të Pentagonit të siguruara nga Reuters. Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi vlerësimin, i cili nuk është bërë ende publik.
Pjesa më e madhe e rritjes lidhet me zëvendësimin e armatimit të harxhuar: mbi 29 miliardë dollarë parashikohet të kushtojë vetëm zëvendësimi i municioneve të përdorura në konflikt, ndërsa mbi 6 miliardë dollarë të tjerë do të duhen për zëvendësimin e pajisjeve ushtarake dhe të të ashtuquajturave “humbje platformash”, ku përfshihen avionët dhe dronët e shumtë të humbur gjatë luftës. Për krahasim, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth e kishte vlerësuar në korrik koston e luftës në 37.5 miliardë dollarë.
Shifrat përfshijnë një gamë të gjerë kostosh operacionale, nga operacionet ajrore deri te mbështetja kibernetike, por ato nuk e pasqyrojnë qartë shpenzimin e madh që pritet për riparimin e bazave amerikane të dëmtuara nga sulmet iraniane me raketa dhe dronë.
Zbulimi i kostos në rritje vjen ndërsa republikanët përballen me pasojat politike të konfliktit të papëlqyer në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit, që do të vendosin kontrollin e Kongresit për dy vitet e ardhshme: ndikimi i luftës në çmimet globale të energjisë ka rënduar mbështetjen për kandidatët republikanë dhe vlerësimin e presidentit Donald Trump, partia e të cilit mban një shumicë të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit.
Trump e nisi luftën ndaj Iranit bashkërisht me Izraelin në shkurt, duke parashikuar se konflikti do të zgjaste pak. Që atëherë ai ka vendosur një bllokadë detare ndaj Iranit për t’ia prerë të ardhurat nga eksportet e naftës dhe ka lënë të hapur mundësinë e rifillimit të operacioneve luftarake pas zgjedhjeve të mesmandatit; zyrtarë amerikanë, që folën në kushte anonimiteti, thonë se Pentagoni po planifikon rifillimin e luftimeve të rënda nëse i urdhërohet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.