Kriza demografike thellohet në Maqedoninë e Veriut: Tetova dhe Gostivari me qindra lindje më pak se në 2021
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se në tremujorin e dytë të 2026-s pati 3.684 lindje të gjalla, 3% më pak se një vit më parë, me shtim natyror negativ prej −1.005; Tetova dhe Kumanova nuk janë më komuna me mbi 1.000 lindje në vit.
Tremujori i parë dhe i dytë i vitit 2026 i kanë dhënë Maqedonisë së Veriut një tjetër “shuplakë” demografike: numri i lindjeve të gjalla ka rënë edhe më tej, ndërsa shtimi natyror mbetet negativ në nivel vendi. Nëse ky trend vazhdon, demografët paralajmërojnë se deri në fund të vitit vendi do të përballet me një situatë demografike shkatërruese.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se në tremujorin e dytë të këtij viti shumica e komunave e mbyllën periudhën me bilanc natyror negativ: Shkupi −36, Manastiri −118, Aerodromi −62, Kumanova dhe Prilepi nga −59, Gostivari dhe Koçani nga −58, Velesi −57 dhe Ohri −51.
Tabloja megjithatë nuk është e njëjtë kudo. Tetova e nisi vitin me −18 në tremujorin e parë, por në fund të qershorit arriti në +44, pra më shumë lindje se vdekje. Struga kaloi nga −37 në +20, Kumanova nga −81 në mars në −59 në qershor, ndërsa Kërçova nga −80 në −26. Gostivari mbetet në territor negativ (−50 / −58), përkundër Araçinovës (+32 / +33) dhe Çairit (+12 / +92), që ruajnë shtim natyror pozitiv.
Pamja afatgjatë është edhe më shqetësuese. Viti 2025 ishte i pari në histori që numri i lindjeve të gjalla në nivel vendi ra nën 16.000. Krahasimi me vitin 2021 flet vetë: Tetova nga 1.025 lindje ra në 822, Kumanova nga 1.011 në 829, Gostivari nga 583 në 440, Struga nga 543 në 474, Kërçova nga 368 në 277, Çairi nga 873 në 833, Saraji nga 618 në 575, Araçinova nga 254 në 240 dhe Dibra nga 169 në 148. Me këtë rënie, Tetova dhe Kumanova e humbën statusin e komunave të vetme me mbi 1.000 lindje në vit.
Vetëm në tremujorin e dytë të 2026-s u regjistruan 3.684 lindje të gjalla — 3% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar — ndërsa shtimi natyror në nivel vendi ishte −1.005.
Ndërkohë, premtimet politike mbeten në letër. VMRO-DPMNE-ja në programin e saj parazgjedhor premtoi një paketë masash kundër krizës demografike dhe miratimin e një Strategjie Kombëtare për Demografinë, por pas më shumë se dy vjetësh në pushtet dokumenti ende nuk është miratuar. Në fillim të majit, kryeministri deklaroi se është përgatitur Strategjia për Rezistencë Demografike 2026–2046 — “jo si dokument formal që do të mbetet në letër, por si udhërrëfyes kombëtar”. Disa deputetë kanë paralajmëruar ndërkaq nisma për ndryshime ligjore që synojnë përmirësimin e gjendjes financiare të nënave dhe familjeve me fëmijë.
Burimi: Nezavisen



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.