Kurti fton liderët e partive për takim para seancës konstituive, Aleanca refuzon pjesëmarrjen
Pasi për të enjten është caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në një takim liderët e partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend, me synimin për të arritur një konsensus për formimin e institucioneve.
Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se nuk e sheh të arsyeshëm pjesëmarrjen në një takim të tillë. Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, përmes një letre drejtuar Kurtit, ka rikujtuar se qëndrimi i Aleancës është bërë i qartë që në përgjigjen e datës 9 korrik 2026.
Sipas Gjinit, AAK nuk ka interes të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës në asnjë format, por ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në themelimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Ai thekson se Aleanca ka paraqitur gjashtë pika që i konsideron me interes jetik për vendin, por se deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje, as direkte e as indirekte.
Sipas Gjinit, këto pika përfshijnë:
Pranimin e menjëhershëm të projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik shtetëror;
Nisjen e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill për garantimin e sigurisë energjetike;
Rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro për bizneset e vogla;
Lirimin e tokës së punuar nga tatimi në pronë për të mbështetur bujqësinë;
Financimin e plotë të projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull;
Ndarjen e një fondi prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.
“Duke qenë se nuk kemi marrë asnjë përgjigje për këto propozime, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, ka deklaruar Gjini në letrën e tij drejtuar Kurtit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.