Lamar Odom reagon ndaj akuzave: Nuk u martova me Khloé për famë

Lamar Odom, ka reaguar pas polemikave të shkaktuara nga dokumentari i tij në Netflix, duke mohuar kategorikisht se u martua me Khloé Kardashian për famë apo përfitime.
Në dokumentarin “Untold: The Death & Life of Lamar Odom”, një mik i tij pretendon se Odom kishte thënë në ditën e dasmës se martesa me Khloé do ta ndihmonte të siguronte një të ardhme më të mirë falë lidhjeve të fuqishme të familjes Kardashian.
Deklaratat shkaktuan reagimin e ashpër të Khloé Kardashian, e cila, në podcastin e saj, u shpreh e zhgënjyer.
“Po thua para kamerave se u martove me mua për famë? Ndihem budallaqe. Kalova orë të tëra duke marrë pjesë në atë dokumentar si favor dhe nuk u pagova asnjë qindarkë,” tha ajo.
Tani, gjatë një interviste në podcastin “Nothing’s Off the Table with Louis Ruggiero”, Odom sqaroi se ato fjalë nuk kanë dalë kurrë nga goja e tij.
“Kjo nuk ka dalë kurrë nga goja ime. Nuk u martova me Khloén për famë. E doja, por nuk kisha nevojë për më shumë famë,” u shpreh ai.
Sipas Odom, komentet e diskutueshme mund të jenë bërë nga persona të tjerë të intervistuar për dokumentarin, ndërsa ai theksoi se ishte tashmë një emër i njohur përpara se të njihej me Khloén.
“Para se të martohesha isha në një lidhje me një aktore shumë të njohur. Kur takova Khloén, gjithçka erdhi natyrshëm mes nesh,” shtoi ish-basketbollisti.
Odom dhe Kardashian u martuan në vitin 2009, vetëm një muaj pasi nisën lidhjen. Ata u ndanë në vitin 2013, ndërsa divorci u finalizua në vitin 2016, pasi Khloé qëndroi pranë tij gjatë rikuperimit nga mbidoza që rrezikoi jetën e tij.
Megjithatë, marrëdhënia mes ish-bashkëshortëve mbetet e tensionuar. Khloé ka deklaruar së fundmi se nuk dëshiron të përfshihet më në projekte që lidhen me Odom, duke e akuzuar se vazhdon ta diskreditojë publikisht dhe të mohojë mbështetjen që ajo i dha në momentet më të vështira të jetës së tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.