“L’elisir d’amore”, në skenë për 60-vjetorin e Universitetit të Arteve, Petrika Afezolli: Vënia në skenë e operës,…
Opera “L’elisir d’amore”, një nga veprat më të njohura të repertorit operistik erdhi në skenë për 60-vjetorin e Universitetit të Arteve. Artistë, pedagogë dhe studentë sollën në skenën e arteve të plotë operën “L’elisir d’amore” të kompozitorit Gaetano Donizzetti, në një mbrëmje të veçantë artistike. Orkestra Simfonike e Universitetit të Arteve, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura në një nga veprat më të njohura të repertorit operistik mbrëmjen e 25 majit, në kuadër të festimeve të universitetit.
Opera e Donizettit u realizua nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli. Ai shprehet se vënia në skenë e një opere të plotë përbën një nga ndërmarrjet më sfiduese artistike dhe organizative për universitetin, pasi kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjitha fakulteteve, Fakulteti i Muzikës, Fakulteti i Artit Skenik dhe Fakulteti i Arteve të Bukura. “Opera “L’elisir d’amore” u vu në skenë në kuadër të 60-vjetorit të Universitetit të Arteve. Sipas planit të aktiviteteve për këtë përvjetor, secili fakultet mori përsipër të prezantohej me veprimtari të veçanta artistike.
Ndër to, Fakulteti i Muzikës u paraqit me operën “L’elisir d’amore”, një nga kryeveprat e repertorit operistik botëror. E veçanta e këtij realizimi qëndron në faktin se, gjatë historisë 60-vjeçare të institucionit, vënia në skenë e një opere të plotë ka qenë një ndërmarrje e rrallë. Në shumicën e rasteve janë interpretuar vetëm akte të veçanta ose pjesë të zgjedhura nga vepra operistike.
Realizimi i një opere të plotë kërkon një angazhim të madh artistik dhe organizativ. Siç u shpreh edhe një nga kolegët tanë, opera është si një “kombinat i madh”, që vë në lëvizje të gjithë institucionin”, thotë dirigjenti Afezolli. Vepra e Donizzettit disa ditë më parë shënoi dhe një nga momentet e rëndësishme në aktivitetet për 60-vjetorin e Universitetit të Arteve në Tiranë, ku kontributi i dirigjentit Afezolli ishte kyç për suksesin e këtij projekti, duke udhëhequr orkestrën dhe artistët me profesionalizëm dhe pasion, dhe duke bërë që çdo detaj i operës të realizohej me nivel të lartë artistik.
Puna për veprën në skenë
“L’elisir d’amore” vepër e kompozitorit italian Gaetano Donizetti është njohur për kombinimin e komikes dhe romantizmit. Për dirigjentin Petrika Afezolli, opera përfaqësoi jo vetëm një sfidë artistike, por edhe një ndërmarrje të rëndësishme bashkëpunimi ndërinstitucional, në kuadër të 60-vjetorit të Universitetit të Arteve. “Përgjegjësia ishte e jashtëzakonshme dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet brezave, sepse lajtmotivi i 60-vjetorit kjo është, që ky institucion prodhon, ky institucion ka efikasitetet.
Dhe mesazhi ynë ishte, që ndërmjet stafit dhe studentëve që janë pjesë përbërëse e Fakultetit të Muzikës dhe gjithë Universitetit të Arteve të kishte edhe një bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, pasi aty një pjesë e madhe e studentëve tanë janë kontribut i cilësisë së spektakleve të tyre njëkohësisht dhe Orkestrën e Forcave të Armatosura, sepse gjithë ata studentë që kanë dalë nga këto fakultete, kryesisht nga muzika kontribuojnë në mënyrë cilësore në këto institucione.
Bashkërendimi i të treve ishte një ndërmarrje ndërinstitucionale, që kurorëzonte pikërisht këtë 60-vjetor të Universitetit të Arteve”, vijon Afezolli. Sipas dirigjentit Petrika Afezolli, pavarësisht vështirësive të hasura në përgatitje, u arrit që shfaqja të realizohej me sukses. “Opera u shfaq vetëm një natë, sepse një nga personazhet, që nuk kishte lidhje me institucionin, por ishte i ftuar u tërhoq 5-6 ditë para se kjo opera të vihej në skenë, duke nxjerrë arsye që nuk kishin lidhje me çështjen.
Por falë iniciativës së një studenti, të cilin e falënderova dhe sakrificës e lodhjes së studentëve dhe pedagogëve, së bashku me kontribuuesit e jashtëm, u bë e mundur që opera të mos dështonte”, tregon Afezolli. Vënia e veprës në skenë angazhoi studentë, artistë dhe pedagogë të arteve, ndër të cilët përmendim drejtues i klasës së Operës Dritan Lumshi, koncertmaestro Elvis Peçi, dirigjent kori Bujar Alliu, regjisor Redjan Mulla, kostumografe Jeta Meni, pedagog udhëheqës Ened Kuka, skenograf Eraldo Kosova.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.