Manuali i atutokratit dhe mekanizmi i Mpirjes: Si po e kthen Edi Rama pushtetin dhe ligjin në armë kundër revoltës (të gjitha ngjashmëritë me Vuçiç dhe Orban)

Në përpjekjet e tij për të shuar valën e fundit të protestave, kryeministri Edi Rama po ndjek gjithçka kanë provuar përpara tij Viktor Orbán dhe Aleksandër Vučić për të shtypur protestat dhe për të shuar zemërimin popullor, duke shpresuar rezultat të ndryshëm.
Kjo makineri nuk funksionon përmes një logjike lineare, por përmes disa shtyllave, të cilat shtohen apo përshtaten në varësi të zhvillimit të situatës ditë pas dite.
Kjo strategji nuk synon thjesht shtypjen fizike të revoltës në rrugë, por mpirjen psikologjike, frikësimin dhe depersonalizimin e qëllimshëm të shoqërisë, përpara se pakënaqësia të kthehet në një dallgë më të madhe dhe në rrezik ekzistencial për pushtetin.
Shpërqendrimi i vëmendjes nga skandalet e brendshme te “armiqtë e huaj”
Kryeministri nuk ka pranuar asnjëherë ta konsiderojë as protestën e flamingove dhe as këtë protestë si revoltë të shtresave të ndryshme të shoqërisë për shkak të dështimeve të qeverisjes së tij.
Për këtë arsye, ai as nuk ka reflektuar seriozisht dhe as nuk do të reflektojë për arsyet që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë.
Pavarësisht se protestat e fundit janë emërtuar si protesta të studentëve, sepse nisën si të tilla, sot, ashtu si ato të “revolucionit të flamingove” që shpërthyen në fund të majit, ato përfshijnë masa më të gjera.
Sikurse revolucioni i flamingove që zanafillën e pati nga skandali në Zvërnec, edhe protestat e studentëve nisën si shprehje e zemërimit për kushtet dhe cilësinë e dobët të arsimit publik.
Por shpejt ato përfshinë pakënaqësinë masive të popullatës për koston e jetesës, korrupsionin në nivele të larta, përqendrimin e pushtetit në pak duar dhe kapjen e ekonomisë dhe shoqërisë nga elita e ngushtë pranë pushtetit të kryeministrit.
Për të zbehur legjitimitetin e kërkesave të studentëve dhe pedagogëve për një arsim cilësor, pakënaqësinë e masave për rritjen e papërballueshme të kostos së jetesës dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë, Rama aplikoi fillimisht strategjinë e alibisë së armiqve të jashtëm.
Duke i etiketuar protestat si të nxitura nga vende armike, pa paraqitur asnjë fakt, ai u përpoq ta zhvendosë debatin nga dështimet e brendshme dhe skandalet e mëdha të korrupsionit te çështjet e sigurisë kombëtare dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Ai përdori mbylljen e disa kapitujve të parëndësishëm si sukses të vizionit të tij europian.
Mesazhi duhet të ishte i qartë për të gjithë: kush proteston kundër qeverisë i shërben, me ose pa vetëdije, agjendave destabilizuese të huaja.
Këtë faqe të manualit Orbán e ka përdorur i pari në mënyrë sistematike. Sa herë që në Hungari, sidomos dy vitet e fundit, shpërthenin protestat kundër korrupsionit, ligjeve kufizuese ndaj mediave kritike apo kundër politikave të tij, ai i cilësonte protestuesit si “agjentë të George Soros” ose njerëz të paguar nga “forca të huaja që duan të shkatërrojnë sovranitetin hungarez”.
Në Serbi, një tjetër autokrat, Aleksandar Vučić, ka ndjekur të njëjtën linjë: studentët dhe qytetarët që protestonin kundër dhunës, korrupsionit apo tragjedive si ajo e Novi Sadit u akuzuan vazhdimisht si “mercenarë të Perëndimit”, “agjentë të shërbimeve të huaja” ose “instrumente të atyre që duan të shkatërrojnë Serbinë”.
Në të gjitha rastet, logjika është identike: protesta nuk lind nga problemet e brendshme, por nga ndërhyrja e armiqve të jashtëm.
Teoria e “Antifas” dhe kriminalizimi i revoltës
Në pamundësi për të kontrolluar dhe mposhtur narrativën e protestës, kryeministri përdori etiketime ideologjike dhe kriminale për të frikësuar pjesën tjetër të shoqërisë.
Përmendja e Antifas si frymëzuese e protestave, apo akuzat se pas tubimeve qëndron krimi i organizuar dhe partitë opozitare, synon të krijojë ndjesi pasigurie te qytetarët e thjeshtë.
Kryeministri dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë socialiste flasin përditë për Antifën si një organizatë ekstremiste. Në fakt, më shumë sesa një organizim ndërkombëtar që ka hedhur rrënjë edhe në Shqipëri, ajo është një reagim ideologjik ndaj politikave të ekstremit të djathtë në Shtetet e Bashkuara.
Antifa është shkurtim i anti-fashizmit dhe shpesh kundërshton politikat antiemigracion në SHBA, luftën e Izraelit në Gaza, luftën e Rusisë ndaj Ukrainës dhe luftërat në përgjithësi.
Antifa nuku ka kryetar, komitet drejtues, seli, as degëzime formale të njohura në botë. Idetë mbi të cilat ajo lindi mund të gjejnë edhe ndonjë simpatizant në Tiranë, si kudo në Europë, por paraqitja e saj si kërcënim kombëtar në Shqipëri është larg logjikës së një shoqërie normale.
Në SHBA dhe në vende të Europës, tubimet e Antifas kanë parullat e tyre, simbolet me flamuj palestinezë e shenja të tjera që i dallojnë. Në Shqipëri, në asnjë rast nuk ka pasur as sllogane dhe as simbolika të tilla.
Por, përmes këtij stigmatizimi, kryeministri tenton ta kornizojë një protestë qytetare në sytë e opinionit publik dhe të ndërkombëtarëve si një lëvizje radikale, terroriste dhe të dhunshme që kërcënon stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues.
Kryeministri përfshin në retorikën e tij edhe krimin e organizuar si pagator të protestuesve të dhunshëm. Në fakt, deri tani është e provuar nga shumë hetime të SPAK-ut se krimi i organizuar, më shumë se te protestuesit kundër kryeministrit, ka gjetur parajsën te politikat e tij ekonomike.
Janë pikërisht këto politika ato që kundërshtojnë shqiptarët prej muajsh, në protesta paqësore e të dhunshme.
Kullat e shumta dhe resortet ekskluzive turistike, të financuara nga paratë e krimit të organizuar, trafiqeve të drogës e aktiviteteve të tjera të paligjshme dhe të çuara përpara me lejen e kryeministrit, ishin një nga arsyet pse njerëzit dolën në protestë.
Por qëllimi i Ramës nuk është që të provojë me patjetër përfshirjen e krimit në protestat kundër tij. Qëllimi është të kriminalizojë protestën për ta delegjitimuar atë në sytë e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, aq sa mundet, si një lëvizje kriminale.
Këtij qëllimi i shërben edhe rreshtimi në monitor i një liste emrash e fotosh, të cilët ai i etiketon si trafikantë droge, dhunues, grabitës e hajdutë, pa u shqetësuar për vërtetësinë e akuzave.
Protesta është kriminale dhe ajo duhet shtypur me dhunë.
Në Hungari, kur u gjend përballë zemërimit masiv, Orbán përdori vazhdimisht etiketime si “forca liberale ekstremiste” apo “organizata që minojnë rendin kushtetues” për të stigmatizuar opozitën dhe shoqërinë civile.
Vučić nga ana e tij i cilësoi protestuesit si “huliganë të paguar”, “terroristë potencialë” dhe “kriminelë që fshihen pas flamurit të demokracisë”.
Në të tre rastet, qëllimi është i njëjtë: protesta qytetare të shihet si kërcënim kriminal ose ideologjik, në mënyrë që shtypja e saj me dhunë të legjitimohet në sytë e opinionit publik.
Dhuna asimetrike: fokus i plotë te “kaosi”, heshtje për policinë
Në narrativën e pushtetit ekziston vetëm një lloj dhune: ajo e protestuesve kriminelë, të keqpërdorur, të paguar nga armiqtë e huaj tradicionalë ose të rinj të Shqipërisë dhe nga organizatat ekstremiste e terroriste.
Pamjet e përplasjeve, thyerjeve të xhamave, djegieve të institucioneve publike, disa bizneseve private apo bllokimeve të rrugëve përdoren si municion propagandistik për të justifikuar reagimin jo proporcional ndaj protestuesve, dhunën e policisë dhe çdo masë tjetër shtrënguese.
Nga ana tjetër, dhuna policore legjitimohet si reagim normal apo kalohet në heshtje thuajse të plotë.
Dhuna në ditën e parë ndaj studentit Klevi Metaj, i cili u godit nga policia dhe u prangos te kangjellat e ministrisë, ajo ndaj një protestuesi që theu këmbën ndërsa policia e tërhoqi zvarrë, goditja met plumb gome në sy e një qytetari, përdorimi masiv i gazit lotsjellës e të tjera minimizohen si dëme anësore dhe ngjarje të pashmangshme në protestat e dhunshme.
Kryeministri ua bëri të qartë protestuesve që në fillim se ai do të bazohej te policia dhe masat represive për të ruajtur pushtetin, pavarësisht kritikave për shkeljen dhe dhunimin e të drejtave të njeriut prej saj.
Ai miratoi shpërblimin monetar për policinë, e mbrojti në të gjitha veprimet e saj dhe nuk mori përgjegjësi për asnjë nga rastet e dhunës.
Për dhunën jo proporcionale të policisë, edhe kur ajo ka qenë flagrante, me pamje të transmetuara drejtpërdrejt nga kamerat e televizioneve, qeveria nxit protestuesit që t’i denoncojnë policët dhunues te vetë policia, në mënyrë që të nisin hetimet.
Të njëjtën asimetri kanë praktikuar Orbán dhe Vučić. Në Hungari, dhuna e policisë ndaj protestuesve është minimizuar sistematikisht, ndërsa çdo akt vandalizmi është zmadhuar dhe përdorur si justifikim për masa më të ashpra.
Në Serbi, Vučić ka mbrojtur forcat e rendit edhe kur pamjet e dhunës joproporcionale kanë qenë të qarta dhe të dokumentuara, duke e paraqitur policinë si viktimë të “huliganëve” dhe duke refuzuar të mbajë përgjegjësi politike.
Ashpërsimi ligjor si armë frikësimi
Pas dhunës së policisë, vjen frika e veshur me petkun e ligjit.
Ajo që Rama e prezanton si “paketë kundër dhunës dhe anarkisë urbane” është në fakt përdorimi i ligjit si instrument ndëshkimi ndaj çdo pakënaqësie dhe revolte, sot dhe në të ardhmen.
Propozimet, si gjobat deri në 500.000 lekë për këdo që qëndron në një turmë të dhunshme pas paralajmërimit të policisë, gjobat dhjetë herë më të larta për këdo që përleshet met policinë, apo krijimi i një Regjistri Elektronik të Posaçëm për personat e referuar ose nën hetim, të cilëve u refuzohet lëvizja dhe dalja nga vendi pa një vendim të gjykatës, synojnë të rrisin koston e pjesëmarrjes së kujtdo në protestë.
Përmes këtyre masave kryeministri ka për qëllim të frikësojë sa më shumë njerëz, duke ua bërë të qartë se kanë më shumë për të humbur sesa për të fituar nëse dalin në protestë.
Përndryshe do të paguajnë edhe si kalimtarë, do të humbasin të drejtat themelore dhe do të kërcënohen me vendin e punës.
Në thuajse të gjitha rastet, sipas asaj që tha kryeministri, ndëshkimet do të ekzekutohen direkt nga policia, pa asnjë kontroll paraprak të prokurorit dhe pa asnjë vendim gjykate.
Kryeministri është i vetëdijshëm që nuk mund të arrestojë dot as qindra e as mijëra njerëz, por përmes këtyre masave ai mendon se krijon një efekt frikësues, që i shtyn qytetarët paqësorë të tërhiqen nga rrugët dhe sheshet nga frika e rrënimit ekonomik apo përndjekjes penale prej pushtetit.
Viktor Orbán ndërtoi një arkitekturë të tërë ligjore që kufizonte sa më shumë protestat, duke e kthyer ligjin në instrument të kontrollit politik. Përmes dy ligjeve, “Stop Soros” dhe “Mbrojtja e Sovranitetit”, ai krijoi një autoritet me kompetenca të pakufizuara për të hetuar çdo organizatë apo media që merrte financime të huaja, duke i shpallur “agjentë të huaj”.
Aleksandar Vučić në Serbi miratoi përpara Edi Ramës të njëjtat paketa. Vučić hartoi atë që u quajt Paketa e Gjobave Administrative ose “Kush bllokon, paguan”, përmes së cilës policia përdori gjoba të menjëhershme automatike prej 5.000 dinarësh (afërsisht 400.000 lekë), përmes kamerave të monitorimit, siç thotë Rama se do të bëjë në Shqipëri, për këdo që thjesht qëndronte në rrugë. Njësoj si Rama, edhe Vučić i aplikoi masat duke shmangur gjykatat.
Vučić gjithashtu përdori ligjet e sigurisë kombëtare për të arrestuar aktivistët mjedisorë apo studentët nën akuzat për “rrëzim të rendit kushtetues”, duke i mbajtur në paraburgim pa gjyq.
Copëtimi i vëmendjes përmes bombardimit dhe “mpirjes”
Në frymën e plotë të “Manualit të Autokratit”, qeveria nuk lejon që opinioni publik të përqendrohet te një krizë e vetme.
Kjo strategji ka funksionuar për të gjithë autokratët modernë, përfshirë ata shqiptarë, jo vetëm kryeministrin Rama, bur edhe kryeministrin Berisha para tij.
Përpara se qytetarët të kërkojnë llogari për dhunën e policisë, kryeministri ua nxjerr fytyrën në publik si kriminelë dhe u tregon paketën e masave ligjore që i ndëshkon me gjobë dhe burg.
Nëse SPAK ngre ndonjë akuzë ndaj ministrave të tij, Rama prodhon menjëherë një zhvillim të ri. Ai njofton shkarkime masive të drejtorëve për të treguar sikur “po pastron veten”.
Në momentin kur kriza vjen në derën e kryeministrit, ai herë vendos letrat e “dialogut” mbi stola guri, herë krijon kaos dhe kalon ligje të rëndësishme pa asnjë diskutim, e herë të tjera merr vendime të tjera për të shpërndarë vëmendjen.
Edhe kjo faqe e manualit është e njohur. Orbán dhe Vučić e praktikuan këtë rregullisht. Sa herë që skandalet e brendshme apo protestat rriteshin, ata hapnin fronte të reja me “kërcënime nga jashtë”, referendume të kota, iniciativa spektakolare pa thelb apo sulme ndaj opozitës, për të mbajtur vëmendjen e fragmentuar dhe shoqërinë në gjendje të përhershme mpirjeje.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.