Marta Kos: Optimiste se Mali i Zi dhe Kroacia do t’i zgjidhin çështjet e hapura deri në fund të vitit
Komisionerja evropiane për zgjerim thotë për N1 Hrvatska se plani ambicioz është që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028 dhe se Podgorica ka mbështetjen e Kroacisë e të Sllovenisë.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka prezantuar në Bruksel, në mesin e javës, raportin vjetor të Bashkimit Evropian për zgjerimin, siç njofton CdM, duke cituar intervistën e saj për N1 Hrvatska. Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Mali i Zi është kandidati që ka përparuar më shumë dhe është më i përgatituri për anëtarësim në BE, ndërsa vendi ka mbyllur nëntë kapituj që nga koha kur Kos mori mandatin.
Kos tha se ekziston një plan vërtet ambicioz që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028. Sipas saj, kjo nuk ka të bëjë vetëm me anëtarësimin, por me të gjitha reformat që ende duhen zbatuar, dhe, ndonëse plani është ambicioz, ajo është e bindur se do të ketë sukses nëse të gjithë punojnë së bashku në këtë drejtim.
Ajo theksoi se Mali i Zi ka mbështetjen e Kroacisë dhe të Sllovenisë në procesin e anëtarësimit, dhe se gjatë mandatit të saj e ka vizituar Malin e Zi pesë herë.
Duke folur për marrëdhëniet mes Podgoricës dhe Zagrebit, Kos u shpreh se Kroacia është një partnere e rëndësishme e Malit të Zi dhe Mali i Zi është një partner i rëndësishëm për Kroacinë, se ka bashkëpunim të mirë mes tyre dhe se mendon se çështjet e hapura mes dy vendeve do të zgjidhen deri në fund të vitit.
Kos u shpreh gjithashtu se zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të mandatit të saj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.