Media italiane “Wom Travel” vlerëson Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më autentike të Evropës
Shqipëria është renditur mes 10 destinacioneve më autentike dhe ende të paprekura nga turizmi masiv në Evropë për verën 2026.
– Shqipëria vazhdon të forcojë pozicionin e saj në hartën turistike të Evropës, duke u vlerësuar gjithnjë e më shumë nga mediet ndërkombëtare, si një destinacion që kombinon natyrën e paprekur, trashëgiminë kulturore dhe çmimet e përballueshme.
Revista italiane e udhëtimeve “The Wom Travel” e ka renditur Shqipërinë mes 10 destinacioneve më autentike dhe më pak të mbipopulluar me turistë në Evropë për verën e vitit 2026, krahas vendeve si Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Portugalia, Holanda, Estonia, Lituania, Skocia dhe Bullgaria.
Sipas artikullit, për turistët që kërkojnë të shmangin destinacionet e mbipopulluara dhe të përjetojnë një udhëtim autentik, Shqipëria përfaqëson një nga zgjedhjet më tërheqëse të momentit.
Riviera shqiptare, e shtrirë përgjatë brigjeve të Jonit, po fiton reputacion si një nga perlat e reja të Mesdheut, falë plazheve të saj të kristalta, gjireve të fshehura, peizazheve spektakolare dhe mikpritjes tradicionale.
Revista thekson se Shqipëria po konsolidohet si një nga destinacionet verore më befasuese dhe më ekonomike në Evropë.
Riviera shqiptare, e cila shtrihet për rreth 150 kilometra përgjatë detit Jon, ofron peizazhe që janë të ngjashme me bregdetin grek, me plazhe me rërë të bardhë, gjire të izoluar dhe ujëra bruz.
Çmimet mbeten dukshëm më të ulëta dhe fluksi i turistëve është më i moderuar.
Sipas artikullit, Durrësi, Vlora dhe Saranda janë pikat kryesore për të eksploruar bregdetin shqiptar.
Durrësi përshkruhet si një qytet dinamik, veçanërisht i preferuar nga të rinjtë, ndërsa Vlora cilësohet si një nga perlat e turizmit bregdetar, me gjirin e saj magjepsës dhe me plazhin e Gjipesë, që konsiderohet ndër më të bukurit në vend, falë natyrës së paprekur.
Në artikull vlerësohet gjithashtu Saranda, e quajtur “Nimfa e Jonit”, si zemra e Rivierës Shqiptare, ku ndërthuren pushimet në plazh me turizmin kulturor.
Vetëm pak kilometra larg ndodhen plazhet e Ksamilit, të njohura për ishujt e vegjël dhe ujërat e kristalta që krahasohen me Karaibet, si edhe siti arkeologjik i Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Për vizitorët që kërkojnë destinacione më autentike, sugjerohen edhe plazhet e Krorezës, të arritshëm vetëm nga deti, dhe plazhi i Kakomesë, i rrethuar nga vegjetacioni tipik mesdhetar.
Ndërkohë, fshati historik i Qeparoit përmendet si një destinacion me atmosferë të veçantë, ku shtëpitë tradicionale prej guri, po restaurohen dhe po shndërrohen në hotele butik, duke i dhënë zonës një identitet unik turistik. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.