Mëritiri: S’duhet të ketë cinizëm, Rama t’i dëgjojë protestuesit me përulësi
Analisti Ergys Mërtiri ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 ka deklaruar se sjellja e kryeministrit Edi Rama nuk është normale në raport me protestuesit.
“Rama ka kohë që bën diversion dhe është shumë e shëmtuar ta shohësh kryeministrin në këtë gjendje, që bën këtë lloj retorike, këtë lloj përpjekjeje për t’u këputur nga një gjë që në fillim e nisi vetë. Çfarë bëri? Doli e tha: “Mos më detyroni ju mua që unë të shkoj në fshat atje të rri dhe të jap dorëheqjen”, dhe do na pikëllonte të gjithëve, do jepte dorëheqjen Rama. E ku do venim ne të shkretët pa Ramën?
Domethënë, po pse e bën këtë? E bën për të nxitur falangat e veta nëpër internet që të dalin dhe të akuzojnë çdo njeri që indinjohet, që proteston, se po na ikën Rama dhe po bëhet qameti.
Dhe nga ana tjetër, këtë e shoqëroi me akuza konspirative duke thënë që ju i shërbeni Greqisë, është Greqia e interesuar për këtë, dhe të gjithë falangat e veta akuzojnë këdo që del në protestë si njeri që po i shërben Greqisë dhe qarqeve antishqiptare greke. Të nesërmen pastaj bën si gangster dhe thotë “unë s’iki kurrë” e të tjera e të tjera”, tha Mërtiri.
Sipas Mërtirit, sjellja e kryeministrit është e shoqëruar me cinizëm, ndërsa vuri në dukje se Rama duhet t’i dëgjojë me përulsi protestuesit.
“Pra një ditë të parë thotë që shiko se iki fare dhe s’merrem fare me këtë punë. Pastaj thotë nuk ik fare. Tani thotë 500.000 veta mblidhen në shesh. Po dolën 500.000 në shesh – jo kryeministri i Shqipërisë po ikën, Meloni, kryeministri ikën, ku di unë Trumpi… Vetë ikën ata që kanë 200-300 milionë banorë, jo më një vend me 2 milionë. Ky është cinizëm shumë i hidhur, shumë i ulët për një kryeministër. E para njëherë tregon papërgjegjshmëri të thellë. Çfarë është ky kryeministër që thotë “unë nuk ik” dhe po mblodh gjithë popullin te dera?
Si mund të shprehet kështu një kryeministër? Kryeministri është aty për të dhënë llogari përpara popullit. Kur populli del të protestojë, ai duhet të shkojë ta dëgjojë përulësisht”, nënvizoi Mërtiri.
Ai theksoi më tej se qeveria nuk jep llogari thjesht në zgjedhje.
“Ka një logjikë, sipas studimeve më duket se është te 5% (në mos gaboj, s’e mbaj mend mirë shifrën), në qoftë se 5% e popullsisë së një qyteti del të protestojë, ka marrë fund qeverisja aty.
Tani çështja qëndron kështu: qeveria nuk jep llogari thjesht në zgjedhje. Dhe kjo nuk është çështje zgjedhjesh. Ai fiton zgjedhje se s’ka opozitë përballë, mor vëlla, po kjo nuk do të thotë fare që është në rregull. Kur dalin qytetarë të protestojnë, ti duhet ta dëgjosh zërin e tyre”, specifikoi më tej Mërtiri.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.