Miratimi i Raportit për Shqipërinë në PE/ Tabaku nga Strasburgu: Dokumenti evidenton rezolutat realiste, nga shkeljet në ekonomi tek modeli autokratik i qeverisë
Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar nga Strasburgu pas miratimit të raportit vjetor të Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, përfaqësuesja e opozitës vuri në dukje se ndonëse dokumenti rikonfirmon mbështetjen politike për integrimin, ai reflekton përmes mbi 300 amendamenteve të gjitha problematikat strukturore, ekonomike dhe sociale që po nxisin protestat e qytetarëve në vend.
Sipas Tabakut, delegacioni i Partisë Demokratike ka zhvilluar takime direkte me raporterin për Shqipërinë, Andreas Schieder, si dhe me raporterin në hije të Grupit të Partive Popullore Europiane (PPE), Andrey Kovatchev, për të adresuar shqetësimet kryesore mbi gjendjen e shtetit të së drejtës.
“Raporti për Shqipërinë pati mbështetjen e të gjitha grupeve politike dhe, sigurisht, shpreh mbështetjen për procesin e integrimit. Por ajo që është më e rëndësishme është se raporti evidenton sot edhe situatën reale që po kalon vendi. Një situatë që reflektohet nga protestat në rrugë, një situatë që reflektohet edhe në mbi 300 amendamentet që pati ky raport.”, tha ajo nëpërmjet një postimi video në rrjetet sociale.
Në analizën e saj mbi përmbajtjen e dokumentit të miratuar nga eurodeputetët, deputetja demokratike nënvizoi se PE ka përfshirë një sërë kritikash që prekin drejtpërdrejt modelin ekonomik të ndjekur nga ekzekutivi, duke u ndalur te klientelizmi dhe ndryshimet ligjore të diskutueshme.
Sipas Tabakut, raporti zyrtar i Parlamentit Evropian trajton fusha kritike si investimet strategjike, ndryshimet në këtë ligj shihen si një barrierë për tregun, pasi ai “është bërë pengesë për biznesmenët e ndershëm, për sipërmarrjet e ndershme dhe për investimet e huaja”; zonat e mbrojtura, ku evidentohen problematikat që lidhen me ndryshimet e fundit ligjore që prekin mjedisin; tregu dhe konkurrenca, ku flitet hapur për mungesën e garës së lirë në ambientin e biznesit.
“Në raport flitet për zgjedhjet dhe problematikat që ekzistojnë me lidhjen e shtetit me partinë dhe nevojën për një reformë zgjedhore që reflekton vullnetin e qytetarëve. Flitet për luftën ndaj korrupsionit dhe çështjen e imunitetit të zëvendëskryeministres. Flitet për një grup të gjerë reformash sa i përket të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias. Pra flitet për realitetin që ka sot Shqipëria”, tha Tabaku.
Për përfaqësuesen e opozitës, procesi i anëtarësimit mbetet rruga e vetme e qëndrueshme për të detyruar administratën shtetërore që të zbatojë reformat në dobi të pensioneve, çmimeve, meritokracisë dhe luftës ndaj korrupsionit, duke u rreshtuar kështu krahas gjetjeve të institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Në mbyllje të qëndrimit të saj, Tabaku ia zhvendosi përgjegjësinë për hapat e mëtejshëm mazhorancës qeverisëse, duke vënë theksin te paralajmërimet e raporteve monitoruese.
“Komisioni Evropian e ka thënë qartë në raportin IBAR. Parlamenti Evropian e tha qartë edhe në raportin që miratoi sot. I takon qeverisë të reflektojë. Të reflektojë nëse do të zgjedhë rrugën evropiane apo akumulimin e pushtetit dhe modelet autokratike.”, thekson Tabaku.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.