Mosfunksionimi i Kuvendit i kushton shtrenjtë Kosovës, ekspertët paralajmërojnë pasoja afatgjata
Për shkak të ngërçit politik, Kosova së fundmi i humbi hiç më pak se 40 milionë euro, nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Sipas njohësve të ekonomisë dhe politikës, për shkak të joseriozitetit nga partitë politike, pasojat do t’i vuajnë mbi të gjitha qytetarët dhe institucionet.
Për herë të parë që pas emërimit si kryenegociator me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj doli në konferencë, dhe jo për një lajm të mirë.
Ai, kumtoi, humbjen e afro 40 milionë eurove nga Plani i Rritjes, pikërisht për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit.
Në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe të reformave, kjo situatë po konsiderohet serioze, nga një njohës i ekonomisë.
“Nuk është veç shumë e parave si 40 milionë. Por përmes tyre do kishim investime në drejtësi, energji, inovacion, përmirësim të klimës së bizneseve. Dhe çdo vonesë të çon drejtë një rritje më të ngadalshme ekonomike”, ka thënë Fidan Qerimi, profesor i lëndëve të ekonomisë.
Në këtë situatë, vlerësohet që pasojat mund të jenë edhe më afatgjate.
‘Moszbatimi i reformave, jep sinjal të moszhvillimit edhe në drejtim të investimeve të huaja, sidomos tek krijimi i kushteve i të bërit biznes”, ka thënë Fidan Qerimi, profesor i lëndëve të ekonomisë.
Në fakt, mungesa e institucioneve stabile prej disa muajsh, konsiderohet se mund të krijojë edhe probleme të tjera, në aspektin politik.
“Mungesa e konstituimit krijon probleme konkrete. Ta zëmë, nuk mund të miratohen ligje të reja, nuk ndryshohen ato ekzistuese. Iniciativat për reforma të ndryshme, nuk mund të procedohen pastaj”, ka thënë Basri Muja, njohës i çështjeve politike.
Por, përkundër kësaj situate, formimi i institucioneve duket ende larg. Rrjedhja e afateve për konstituim të Kuvendit, zgjedhje të Presidentit e formim të Qeverisë, fillon veç pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, proces i cili mbetet peng i ankesave në Gjykatën Supreme./Tv Dukagjini
– YouTube youtu.be



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.