Muzikë në të dy anët e Ibrit: Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor performon me mbështetjen e BE-së
Pasditen e së dielës, më 23 gusht, tingujt e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor, të mbështetur nga BE-ja, pasuruan Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut me dy koncerte.
E themeluar në vitin 2019, Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor bashkon muzikantë të rinj profesionistë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Për disa anëtarë të orkestrës, kjo ishte hera e parë në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut. Dy koncertet ishin pjesë e programit “Music of Today” të orkestrës dhe turneut të saj veror 2026, i cili po i çon muzikantët e rinj nëpër Ballkanin Perëndimor para se të vazhdojë në Gjermani.
Për Drejtorin Artistik dhe dirigjentin e orkestrës, Desar Sulejmani, performimi në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut përcillte një mesazh të veçantë.
“Përmes muzikës, duam të dërgojmë një mesazh që nuk ka nevojë për shpjegim. Muzika jonë do t’i lidhë shpirtrat tanë, veçanërisht sepse vetë orkestra përbëhet nga muzikantë të rinj nga kombe dhe vende të ndryshme, shumë prej të cilëve ndodhen për herë të parë në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut,” tha Sulejmani.
Alexandra, anëtare e orkestrës nga Serbia, ishte në mesin e atyre që po vizitonin rajonin e Mitrovicës për herë të parë.
“Përshtypja ime e parë është se është një qytet shumë i bukur dhe multikulturor. Jam shumë e lumtur që pata mundësinë të vij këtu për herë të parë dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij projekti,” tha ajo.
Jora, një anëtare nga Kosova, gjithashtu po performonte për herë të parë në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut me orkestrën.
“Është hera e parë që po performojmë në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut me Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor. Ka qenë një përvojë shumë e mirë dhe shpresojmë të kthehemi përsëri me të njëjtën energji pozitive,” tha ajo.
Bashkimi Evropian e ka mbështetur zhvillimin e orkestrës edhe përtej koncerteve të kësaj vere. Përmes Creative Europe, WBYO ka marrë një grant katërvjeçar, i cili mbështet trajnimin profesional, koncertet, kompozitorët e rinj dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Sulejmani tha se mbështetja nga BE-ja në Kosovë gjithashtu ndihmoi që orkestra dhe programi i saj të vinin këtë vit në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut.
“Jam shumë i kënaqur që kemi një bashkëpunim kaq të mirë dhe të vlefshëm me Bashkimin Evropian në Kosovë. Ata e mbështetën këtë projekt dhe na dhanë mundësinë ta sjellim misionin dhe vizionin tonë këtu, në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut,” tha ai.
Mbështetja e BE-së për Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor është pjesë e mbështetjes së saj më të gjerë për kulturën, të rinjtë dhe bashkëpunimin rajonal në Kosovë. Si partneri më i fuqishëm dhe mbështetësi më i madh financiar i Kosovës, me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999, Bashkimi Evropian vazhdon të krijojë mundësi për të rinjtë, duke mbështetur njëkohësisht shkëmbimet kulturore dhe bashkëpunimin në të gjithë rajonin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.