Ndoja debat me Qiraxhin: Zgjidhja do të jetë te kodi zgjedhor, aktivisti: Një alternativë e re mund të rrëzojë autokracinë
Aktivisti Migen Qiraxhi ka zhvilluar një diskutim me deputetin e Partisë Demokratike, Arian Ndoja, ku në fokus kanë qenë protestat në vend , rolin e opozitës dhe mënyra se si mund të arrihet ndryshimi politik në vend.
Gjatë diskutimit, Ndoja u shpreh se ndryshimi i kodit zgjedhor mbetet, sipas tij, një nga rrugët kryesore për zgjidhjen e problematikave politike.
“Unë vazhdoj të besoj që zgjidhja do jetë te kodi zgjedhor dhe Partia Demokratike në parlament duhet të jetë vetëm për sa i përket kontributit të vet me kodin zgjedhor.”
Nga ana tjetër, Qiraxhi argumentoi se debati për kodin zgjedhor është i rëndësishëm, por ndryshimi i tij nuk garanton vetvetiu ndryshimin politik.
“Debati për kodin zgjedhor është i shëndetshëm në çdo kohë për t’u bërë, për t’u bërë më cilësor. Po kodi zgjedhor as nuk sjell asgjë. Orbani ra me kodin zgjedhor të vetin, Vuçiç ra me kodin zgjedhor të vetin. Partia Demokratike e ka fiktuar me kodin zgjedhor të Ramiz Alisë. Kërkesa që do të thotë vetëm një alternativë në të cilën unë pak po e shoh Partinë Demokratike do mundet që të rrëzojë atë që është, le të themi, një autokraci që e quajnë shqiptarët”, tha Qiraxhi.
Në vijim të debatit, Ndoja ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si një forcë politike mund të heqë dorë nga struktura dhe trashëgimia e saj.
“Pra kërkoni që ajo të lirojë vendin që ka zënë shoqërinë shqiptare, t’ia japë kujt? Produktin e vet politik, pasurinë e vet, trashëgiminë e vet politike prej kaq vitesh ta lërë, ta dhurojë? Kjo është mënyra? Po ka ndonjë formë që e ka bërë kush tjetër një vend të botës me një formë ligjore?”.
Në përgjigje, Qiraxhi argumentoi se përqendrimi i pushtetit për një kohë të gjatë e bën më të vështirë ndryshimin.
“Pse nuk bie Rama sot? Sepse është i fuqishëm, i ka të gjitha pushtetet. Pse nuk bie një kryetar partie që e ka partinë për 30 vite? Sepse është i fuqishëm brenda familjes së vet, partisë së vet. Pse Amerika e vendos dy mandate presidentin? Sepse e ka kuptuar që një njeri sa më shumë gjatë të rri në pushtet, aq më shumë është i aftë ta mbajë pushtetin.”
Më tej, aktivisti u ndal te lëvizjet e reja shoqërore dhe protestat e zhvilluara në vend. Sipas tij, kjo lëvizje ka arritur të mobilizojë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë shqiptare.
“Kur e reja shfaqet në shoqëri dhe nuk po flas për një të re që nuk ka korrur suksese ose ka lënë 150 ditë në rrugë, është një e re e cila i ka shkaktuar më shumë dëme politike kryeministrit sesa i ka shkaktuar opozita dhe establishmenti. Është një e re e cila, le të themi, ka frymëzuar të gjithë shoqërinë shqiptare, që ka bërë protestën më të madhe ndonjëherë në tranzicion, që ka bërë protestën më të madhe ndonjëherë në qëndrueshmëri.
Pra unë nuk po them që t’ia varim dikujt që nuk ka asnjë sukses. Po ne këtu kemi një strukturë shoqërore që disi ka sukses dhe tentativa për të mos e lënë të organizohet, për të thënë që kjo është e imja, që edhe ne kemi aty njerëzit tanë. Unë mendoj që është një tentativë për ta relativizuar dhe për ta dëmtuar atë që po mundohet të lindë”, tha aktivisti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.