Tiranë 26°C · Pjesërisht vranët 01 June 2026
S&P 500 7,580 ▲0.22%
DOW 51,032 ▲0.72%
NASDAQ 26,973 ▲0.2%
NAFTA 90.23 ▲3.29%
ARI 4,538 ▼1.19%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075 EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075
₿ CRYPTO
BTC $73,042 ▼ -1.19% ETH $1,987 ▼ -1.9% XRP $1.3107 ▼ -1.95% SOL $81.4100 ▼ -1.57%
S&P 500 7,580 ▲0.22 % DOW 51,032 ▲0.72 % NASDAQ 26,973 ▲0.2 % NAFTA 90.23 ▲3.29 % ARI 4,538 ▼1.19 % S&P 500 7,580 ▲0.22 % DOW 51,032 ▲0.72 % NASDAQ 26,973 ▲0.2 % NAFTA 90.23 ▲3.29 % ARI 4,538 ▼1.19 %
EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075 EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075
01 Jun 2026
Breaking
Politika

Negociatat SHBA-Iran në udhëkryq, Mema: Ekziston një mirëkuptim i heshtur mes dy vendeve. Ngërçi mbetet te programi bërthamor

Pavarësisht sinjaleve të vazhdueshme diplomatike dhe përpjekjeve për të arritur një marrëveshje afatgjatë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, negociatat mes dy vendeve vazhdojnë të mbeten të bllokuara në çështjet më të ndjeshme, veçanërisht ato që lidhen me programin bërthamor iranian dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi gjatë ditës së djeshme se kishte marrë garanci të plota nga Teherani se Irani nuk do të vijonte me zhvillimin e kapaciteteve për pasurimin bërthamor. Megjithatë, reagimi i autoriteteve iraniane ishte i menjëhershëm, duke theksuar se Republika Islamike nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që, sipas tyre, cenon të drejtat legjitime të popullit iranian për zhvillimin e programit të tij civil bërthamor.

Lidhur me zhvillimet e fundit, analisti Medlir Mema, duke raportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një lidhje Skype me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, bëri të ditur se administrata amerikane ka zhvilluar një mbledhje të zgjeruar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku presidenti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt kanë diskutuar për disa orë mbi ecurinë e negociatave me Iranin.

“Në fakt u zhvillua një mbledhje me kabinetin e ngushtë të presidentit për çështje të sigurisë kombëtare, por në përfundim të takimit disaorësh nuk pati një vendim final në lidhje me një propozim për armëpushim apo një marrëveshje paqeje afatgjatë mes dy vendeve. Iranit i është paraqitur një propozim i ri dhe nga Teherani kërkohet një përgjigje sa më e shpejtë, por deri në këto momente nuk ka ndonjë zhvillim konkret që të tregojë përparim të drejtpërdrejtë në negociata”, u shpreh Mema.

Sipas tij, megjithëse ka shenja pozitive në disa aspekte dytësore të marrëdhënieve mes palëve, çështjet themelore që kanë prodhuar konfliktin vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

“Ka zhvillime pozitive në aspektet periferike të procesit, por në thelbin e problemit, që ka të bëjë me hapjen e përhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe me programin bërthamor iranian, ende nuk ka një zgjidhje. Këto janë dy çështjet kryesore që vazhdojnë të mbajnë të bllokuara negociatat”, theksoi ai.

Ndërkohë, tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të luhaten në varësi të deklaratave politike dhe zhvillimeve ushtarake në terren. Vetëm pak ditë më parë, situata njohu një përshkallëzim të ri, duke rikthyer shqetësimet për mundësinë e një përplasjeje më të gjerë në rajon.

“Tensioni ngrihet dhe bie sipas deklaratave që bëjnë udhëheqësit amerikanë dhe iranianë. Vetëm tre ditë më parë pati një moment përshkallëzimi në aspektin ushtarak. Megjithatë, nuk presim zgjerim të konfliktit në një luftë të hapur. Prania e forcave ushtarake pranë njëra-tjetrës e bën të pashmangshëm ekzistencën e tensioneve”, deklaroi Mema.

Ai vlerëson se pavarësisht retorikës publike, mes dy vendeve ekziston një lloj bashkëpunimi i heshtur që synon ruajtjen e armëpushimit dhe shmangien e një konflikti të ri.

“Është raportuar se gjatë javës së kaluar Shtetet e Bashkuara kanë shoqëruar rreth 70 anije përmes Ngushticës së Hormuzit. Pavarësisht deklaratave të forta, Irani nuk ka ndërmarrë veprime kundër këtyre anijeve dhe ka lejuar kalimin e tyre. Kjo tregon se ekziston një mirëkuptim i heshtur mes palëve për të ruajtur stabilitetin minimal dhe për t’i dhënë më shumë jetë armëpushimit aktual”, tha ai.

Sipas Memës, pengesa kryesore vazhdon të mbetet kërkesa amerikane për kufizimin ose mbylljen e programit bërthamor iranian, ndërsa Teherani këmbëngul në të drejtën e tij për zhvillimin e teknologjisë bërthamore për qëllime paqësore.

“Ngërçi kryesor qëndron tek hapja e përhershme e Ngushticës së Hormuzit dhe tek kërkesat amerikane që synojnë ndalimin e programit bërthamor iranian. Pikërisht këto dy çështje vazhdojnë të mbajnë larg një marrëveshjeje përfundimtare”, u shpreh ai.

Analisti shton se aktualisht po zhvillohet një betejë diplomatike dhe komunikimi publik, ku secila palë përpiqet të paraqesë negociatat si një sukses të vetin.

“Po luhet një lojë diplomatike ku një ditë flasin iranianët dhe deklarojnë se amerikanët kanë rënë dakord për disa kushte, ndërsa të nesërmen Uashingtoni i përgënjeshtron ato deklarata. Më pas ndodh e kundërta. Jemi në një moment kur dora e majtë nuk di çfarë bën dora e djathtë. Ka përpjekje për të manipuluar perceptimin publik dhe për të rritur presionin ndaj palës tjetër. Për këtë arsye nuk besoj se jemi ende shumë afër një marrëveshjeje përfundimtare”, përfundoi Mema.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.